2012-03-15 13:26:47

“Gjiganti”: paraqitet dokumentari në 3 D, kushtuar Papës Vojtila, fryt i bashkëpunimit të Rai-t me CTV.


“Gjiganti” titullohet dokumentari, kushtuar figurës së Gjon Palit II, paraqitur dje, në Romë. Vepra, me tre D (tri dimensionale) është prodhim i Rai-t, në bashkëpunim me Qendrën Televizive të Vatikanit, me regji të Italo Moskatit. Do të transmetohet në Speciale TG1, më 1 prill, në prag të shtatëvjetorit të vdekjes së Gjon Palit II e, njëkohësisht, në 3 D, në Kanalin dixhital tokësor 501, në Hd- Definicion i lartë, si dhe në Kanalin satelitar 101.
22 minuta për të rrëfyer aventurën e jashtëzakonshme njerëzore e shpirtërore të Karol Vojtilës. Prodhim, që shënon një etapë të rëndësishme në bashkëpunimin ndërmjet shërbimit publik e mediave vatikanase, nënvizoi drejtoresha e përgjithshme e Rai-t, Lorenca Lei. Por cila ishte ndihmesa e CTV-së (Qendrës Televizive të Vatikanit)? Atë Lombardi, drejtor i CTV-së:RealAudioMP3
“Qendra Televizive e Vatikanit, natyrisht, po impenjohet për të përdorur teknologji moderne për komunikimin televiziv. Regjistruam gjithë Lumnimin e Gjon Palit II, si ngjarja më e madhe vitit të kaluar, në 3 D (Dimensione), me mjetet e reja, që përdorim, dhe vumë në dispozicion të Rai-t figurat, për t’i përdorur, së bashku me ato, që u prodhuan nga vetë Rai. Qëllimi ynë, përsa i përket komunikimit fetar e vatikanas, është të jemi të pranishëm jo vetëm në vijën e parë të frontit të teknologjive më të përparuara, por edhe në atë të reflektimit e të eksperimentimit në fushën e shprehjes, të komunikimit, në mënyrë që mundësitë e krijuara nga këto teknologji, të përkojnë me mesazhin e përçuar. Duam të transmetojmë një Meshë, për shembull? Duhet të mësojmë 3D-të, për ta realizuar me sukses transmetimin. Prandaj, mund të themi se nuk synojmë të dukemi, të tregojmë se jemi më të zotët, sepse përdorim me sukses teknologjitë më të përparuara. Qëllimi ynë është ta përdorim sa më mirë mjetin teknologjik, në përkim me misionin tonë, ta komunikojmë sa më thellë mesazhin tonë, në shërbim të publikut”.
Regjisori Italo Moskati pati detyrën jo të lehtë të rendiste materialet, duke gërshetuar, për herë të parë, figurat në 2 D të jetës së Papës, me ato në Qytetin e Vatikanit, në Romë e në Krakovi:
“3D është gjithnjë përmasë apo dimension me efekte të posaçme. M’ u desh të shpik një metodë të re për të bërë 3D-në: metodën e kërkimit të përmasës shpirtërore, fetare, të Papës, përmes kujtimit të jetës së Tij. Gërmova në shpirtin e këtij personazhi kaq të jashtëzakonshëm. Po e quaj ‘personazh’, sepse në film bëhesh personazh. Po unë u përpoqa të harrohet si personazh, ndonëse m’u desh të nisesha prej personazhit, për të krijuar diçka të re, duke gërshetuar fjalët e Tij, me emocionet, që krijojnë muzika dhe efektet e figurës. E edhe atëherë kur punoja me figura të njohura, u përpoqa t’i përçoj në një mënyrë të re”.
Kënaqësi edhe në shtëpinë Rai. E shpreh drejtori i Strategjive teknologjike, Lugji Roki:
“E vlerësojmë shumë këtë lidhje bashkëpunimi, që nisi pikërisht me atë Lombardin, të cilën do ta thellojmë e do ta zhvillojmë më tej. Papa Benedikti na la me gojë hapur: prania e Tij në Twiter, posaçërisht tani, për 40 ditët e Kreshmëve, na jep një sinjal të rëndësishëm, që flet vetë për vëmendjen e madhe ndaj teknologjive të reja, e, prej këndej, edhe, për orientimin që u jep ky mesazh, posaçërisht të rinjve. Është rast i jashtëzakonshëm për Rai-n e për strategjitë teknologjike, ky bashkëpunim, në shërbim të përçimit të një mesazhi të madh”.









All the contents on this site are copyrighted ©.