2012-03-15 13:26:34

Papa bekon këmbanën e Kongresit Eukaristik të Dublinit. Intervistë me imzot Martinin


Kumbim për të thirrur idealisht katolikët në Kongresin e ardhshëm Eukaristik ndërkombëtar, që do të zhvillohet në Dublin të Irlandës, nga 10 deri më 17 qershor. Pas audiencës së përgjithshme të ditës së djeshme, Benedikti XVI deshi t’i bjerë personalisht këmbanës simbol të Takimit të 50-të mbi Eukaristinë, paraqitur nga një delegacion i Kongresit, udhëhequr nga kryeipeshkvi i Dublinit, imzot Diarmuid Martin. Pikërisht këtë të fundit, e ftuam në mikrofonin tonë:
Këmbana mbledh njerëzit nëper qytete e fshatra: kur bie ajo besimtarët i lënë për një çast punët e përditshme e gjunjëzohen në lutje, mendojnë për Zotin. Sipas nesh, këtë rol duhet të luajë Kongresi Eukaristik në Irlandën e sotme: duhet t’i thërrasë njerëzit për një çast përtëritje shpirtërore, duke u bërë këmbana simbol i rinovimit të Kishës irlandeze. Nga audienca me Papën u nis edhe ftesa, që i kapërcen kufijtë irlandezë e shkon në Kishat e tjera, duke i grishur të nisen për shtegtim drejt Dublinit. Prania e tyre është e rëndësishme për Kishën në Irlandë, e cila ka kaluar një periudhë të vështirë, por tani po gjallërohet sërish. Shtegtimi i këmbanës, që ka vizituar shumë shkolla, ishuj, famulli, shtëpi për të moshuarit, filloi një vit më parë, me rastin e festës së Shën Patrikut. Para dy vjetësh u publikua letra e Atit të Shenjtë për katolikët irlandezë. Dy proceset e përtëritjes ecin bashkë: ai brenda Kishës dhe përgatitja e Kongresit Eukaristik. Ky takim nuk fillon më 10 për të përfunduar më 17 qershor, por është pjesë e kohës së rinovimit, që ka nisur tashmë e do të vazhdojë edhe më pas.
Dihet se Kisha në Irlandë po kalon një periudhë shumë të vështirë, pas shkandullit të abuzimeve seksuale të disa anëtarëve të klerit. Në një farë mënyre, i ngjan asaj të Kongresit të vitit 1932, kur filloi kjo traditë….
Ne e kremtuam Kongresin Eukaristik në vitin 1932, dhjetë vjet pas luftës civile në Irlandë, konflikt brutal, që ndau bashkësi e familje. Paraardhësi im në kryeipeshkvi u përpoq ta shmangte luftën e të fliste me të gjitha palët. Por, ndërmjetësimi i tij dështoi. Atëherë, Kongresi Eukaristik i 1932-shit u kthye në një rast për pajtimin e shoqërisë. Ne shpresojmë që edhe kësaj radhe, Kongresi të jetë rast për pajtim, përtëritje, jo për të mohuar të kaluarën, por për të ndërtuar një të ardhme të re, më të mirë.







All the contents on this site are copyrighted ©.