2012-03-15 15:30:39

Nunci në Kubë: Papa do t’i pajtojë kubanët. Disidentët pushtojnë kishën e Havanës.


Njëmbëdhjetë ditë para se të fillojë vizita apostolike e Benediktit XVI në Kubë, një gjest demonstrativ po trazon përgatitjet e fundit në Kishën e Havanës. Prej dy ditësh, trembëdhjetë vetë janë mbyllur në Kishën e Zojës së Dashurisë e nuk pranojnë të dalin. Burimet e kryeipeshkvisë e shikojnë gjestin si ‘akt të paligjshëm e të papërgjegjshëm’.
Nuk është aspak ngjarje e rastit, por pjesë e një strategjie të koordinuar, që po vërehet në zona të ndryshme. Në këtë përfundim arritën kryesia e Kishës në Kubë dhe autoritetet civile të Ishullit, pasi vlerësuan përpjekjen e grupeve të ndryshme të disidentëve për të pushtuar disa kisha. Por asnjë nga rastet e tjera nuk mund të krahasohet me atë, që po ndodh në Havanë. Të martën e kaluar, grupi i disidentëve u paraqit në Kishë që të dorëzonte një mesazh për Benediktin XVI, me disa kërkesa të tipit shoqëror. Hyri, po s’doli më. Asnjë ftesë për t’i shoqëruar shëndosh e mirë në shtëpitë e tyre, pa kurrfarë ndërhyrjeje nga jashtë, nuk i bindi, as nuk i bind, 13 burrat e gratë t’i japin fund një veprimi të tillë, që merr formën e mungesës së respektit për Kishën. Çfarëdo lloj sjelljeje, që synon ta kthejë tempullin, në vend publik manifestimesh politike, duke mos përfillur autoritetin e meshtarit, ose të drejtën e shumicës, e cila shkon në kishë për t’u lutur e për të gjetur paqe shpirtërore, është akt i paligjshëm e i papërgjegjshëm – shkruhet në notën zyrtare të Kuries. Kisha i dëgjon të gjithë, ndërmjetëson për të gjithë, por nuk mund të pranojë orvatje që rrezikojnë ta shtrembërojnë natyrën dhe misionin e saj ose të kërcënojnë lirinë fetare të atyre, që vizitojnë kishat. Askush – përfundon komunikata, nuk ka të drejtë t’i shndërrojë kishat në llogore politike. Askush nuk ka të drejtë ta shkatërrojë frymën kremtuese të besimtarëve kubanë e të shumë e shumë nënshtetasve të tjerë, që e presin me gëzim e shpresë vizitën e Benediktit XVI në Kubë!
Kjo, situata, ndërsa vijojnë përgatitjet për pritjen e Papës e Nunci apostolik thekson se Benedikti XVI do të vijë në Kubë për t’i pajtuar të gjithë kubanët me njër-tjetrin!










All the contents on this site are copyrighted ©.