2012-03-14 15:27:14

Papa në audiencën e përgjithshme: t’i lutemi Marisë jo vetëm kur kemi nevojë


Në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, ndriçuar nga një diell i këndshëm pranveror, Papa foli për praninë e Marisë, gjithnjë në lutje, në hapat e para të Kishës. Duke iu drejtuar 20 mijë besimtarëve, Benedikti XVI i porositi të ndjekin shembullin e Nënës së Krishtit, e cila na fton të lutemi gjithnjë, e jo vetëm kur jetojmë çaste të vështira e kemi nevojë për ndihmën e ndërmjetësinë e Saj. Në përfundim të audiencës, Papa bekoi ‘Pishtarin benediktin të paqes”. Ishte një ndalesë e këndshme për Pishtarin, nisur nga Malta për në Montekasino.RealAudioMP3

“Nuk mund të flitet për Kishë, në se nuk është e pranishme Maria”: këtë nënvizoi Papa në audiencën e përgjithshme, kushtuar plotësisht rolit të Virgjërës Mari në jetën e Kishës. Vuri, kështu, në dukje, se përshkrimi i Nënës së Zotit në mes të Apostujve, pas ngjitjes së Krishtit në qiell, nuk është thjesht një hollësi historike. Jemi para një pranie kuptimplote, me vlerë të madhe shpirtërore, nga që Apostujt kanë të përbashkët me Marinë, gjënë më të çmuar: kujtimin e gjallë të Jezusit në lutje:
“Në se nuk ka Kishë pa Rrëshajë, nuk ka as Rrëshajë pa Nënën e Jezusit, sepse Ajo e jetoi në mënyrë të pashoqe atë, që Kisha e jeton çdo ditë për virtyt të Shpirtit Shenjt”.
Më pas Papa kujtoi se Koncili II i Vatikanit e nënvizoi posaçërisht këtë lidhje, që e shikojmë qartë në lutjen e përbashkët të Marisë me Apostujt, në të njëjtin vend, në pritje të zbritjes së Shpirtit Shenjt. Prej këndej, mund të themi se vendi i zgjedhur nga Maria është Kisha:
“Ta nderosh Nënën e Jezusit në Kishë, do të thotë të mësosh prej Saj për të qenë bashkësi që lutet: e ky është një nga tiparet themelore të bashkësisë së parë të krishterë, pikturuar me ngjyra të gjalla në Veprat e Apostujve”.
Shpesh herë, vërejti Ati i Shenjtë, lutemi vetëm kur jemi në situata të vështira, kur duhet të zgjidhim probleme të ndërlikuara personale, kur jemi të rrethuar nga errësira dhe kërkojmë pakëz dritë. Atëherë kujtohemi për gurrën e dritës, të ngushëllimit, të ndihmës. Kujtohemi për Zotin e gjunjëzohemi para Tij, gjithnjë me problemet tona në zemër të lutjes:
Maria na fton t’i lutemi Zotit jo vetëm kur kemi nevojë, e jo vetem për vetveten, por edhe për të tjerët e me të tjerët, të lutemi njëzëri, me ngulm e besim, bashkë, si një zemër e vetme e një shpirt i vetëm”.
Prej këndej Papa i ftoi gjithë të krishterët t’ia besojnë vetveten Marisë në çdo fazë të shtegtimit mbi këtë botë e t’i drejtohen me lutje personale e kishtare:
“Maria na mëson se kemi shumë nevojë të lutemi e na tregon se vetëm me një lidhje të përhershme, të thellë, plot dashuri me Birin e saj, mund të dalim me guxim nga ‘shtëpia jonë’, nga vetvetja jonë, për të arritur në skajet më të fundme të dheut e për ta kumtuar kudo Zotin Jezus, Shëlbuesin e botës”.
Në përfundim të audiencës, Papa bekoi flakën benediktine të paqes. Kujtojmë se ishte ishulli i Maltës, ai që e ndezi sivjet Pishtarin tradicional benediktin, simbol i paqes, shpresës e vëllazërisë, me dorën e kryeipeshkvit të Maltës, imzot Paul Kremona, gjatë një Meshe solemne në konkatedralen e Shën Gjonit, në La Valleta. Pishtari shtegtoi drejt Romës e sot u bekua nga Benedikti XVI, gjatë audiencës së përgjithshme, për t’u rikthyer pastaj, më 20 mars, në Montekasino. Të pranishëm edhe murgjër të abacive benediktine të Montekasinos e të Norçies, vendlindje e Shën Benediktit.
Simboli i ndritshëm shpirtëror i Shenjtit Pajtor të Evropës, e ripohoi edhe një herë misionin e tij të paqes e të solidarietit ndërmjet popujve e kombeve. Papa përshëndeti edhe Patrikun e Kaldejve të Bagdadit, Emanuelin III Delly si dhe mëkëmbësin e tij, Imzot Shlemon Warduni. Kujtoi edhe se këto ditë përkujtohet katërvjetori i vrasjes së kryiepshkvit të Mosulit, imzot Rahho.







All the contents on this site are copyrighted ©.