2012-03-14 15:28:21

Nga televizioni kuban, kardinali Ortega i flet vendit, në prag të vizitës së Papës


Benedikti XVI do të vijë në Kubë si “shtegtar i dashurisë së krishterë”: kështu flet kryeipeshkvi i Havanës, kardinali Haime Ortega, në një videomesazh të transmetuar dje nga televizioni zyrtar “Cubavisiòn”. Për 20 minuta, prelati kujton impenjimin e Papës për ungjillëzimin e ri dhe i fton besimtarët të marrin pjesë në takimet me Atin e Shenjtë, i cili do të qëndrojë në Kubë nga 26 deri më 28 mars, në kuadrin e udhëtimit, që përfshin edhe Meksikën.RealAudioMP3
“Papa vjen të na përforcojë në fe, vjen të ripohojë vlerat e krishtera”, thekson në mesazhin e apasionuar, shqiptuar pa letër, kardinali Ortega. Përmend vizitën e Gjon Palit II në Kubë, më 1998, e vazhdon deri në takimin e tij të fundit me Benediktin XVI në Vatikan, gjatë Koncistorit të shkurtit të kaluar. Në atë rast, kujton prelati, Papa e përshëndeti me përzemërsi, duke i thënë “Mirupafshim në Kubë!”. Më pas, kardinali vë në dukje se feja ka qenë për vite me radhë “e fshehur”, “e fashitur”, për shkak se komunizmi kuban predikonte ateizmin. Por ajo ka qenë gjithnjë e pranishme në zemrat e njerëzve:
“Benedikti XVI është Papa i së vërtetës, intelektual, njeri, që ia ka kushtuar jetën teologjisë. E si i tillë, Ati i Shenjtë dëshiron që edhe besimtarët ta kërkojnë të vërtetën, e kërcënuar sot nga relativizmi, nga shpërdorimi i etikës e nga absolutizmi”.
Kardinal Ortega nënvizon më pas, se vizita e Papës ka kryesisht karakter baritor, megjithëse Benedikti XVI udhëton për në Kubë edhe si kreu i Shtetit të Vatikanit, i ftuar nga qeveria e Havanës. Duke i grishur besimtarët të mblidhen rreth Pasardhësit të Shën Pjetrit, kryeipeshkvi vëren se, pavarësisht nga statistikat, që pa dyshim do të vihen në dukje nga mediat botërore, kjo vizitë do të mbetet e ngulitur në mendjet e në zemrat e të gjithë kubanëve:
“ ... será siempre tambien en nuestro corazón...”.
Ndërkaq, po dje, qeveria e Kubës hapi një faqe interneti kushtuar udhëtimit të Papës. Në të publikohen programi zyrtar i vizitës, disa artikuj e të dhëna të rëndësishme për katolikët, si edhe një video mbi Shtetin e Vatikanit. Gjithashtu, vizitorët e kësaj faqeje mund të marrin e të regjistrojnë materiale audiovizive nga vizita e të Lumit Gjon Pali II në Kubë, më 1998. Kujtojmë se Benedikti XVI shkon në Santiago de Cuba dhe në Havanë, me rastin e 400-vjetorit të gjetjes së figures së Zojës së Caridad del Cobre, Nënës së Dashurisë së Krishterë.








All the contents on this site are copyrighted ©.