2012-03-13 15:54:50

Uji, pasuri e përbashkët botërore, jo mall. Selia e Shenjtë në Forumin e Marsejës


Mëse një miliard vetë në botë nuk kanë ujë të pijshëm. E dinë mirë këtë shqiptarët, të cilët e kanë akoma ujin me orar e jo gjithnjë me cilësi të mirë. E sipas Organizatës për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik, kërkesa për ujë do të rritet me 55% deri në vitin 2050. Që dje e deri në fund të javës, në Marsejë të Francës, mbahet Forumi Botëror i Ujit, në të cilin marrin pjesë përfaqësues politikë, ente lokale, ndërmarrje, organizata ambientaliste e bashkëpunimi. Për Selinë e Shenjtë është i pranishëm një delegacion i Këshillit Papnor “Drejtësi e Paqe”. Të dëgjojmë sekretarin e dikasterit vatikanas, mons. Mario Tozo: RealAudioMP3
Para së gjithash, duhet të themi se uji është thelbësor për jetën e për natyrën e vet, nuk mund të trajtohet si një mall i çfarëdoshëm, përdorimi i tij duhet të jetë racional e solidar. Pastaj, kontributi i Selisë së Shenjtë: një këndvështrim, një qëndrim tejet tregtar mund të sigurojë investime për infrastrukturave vetëm në ato zona, ku realizimi i tyre mund të sjellë përfitime, aty ku banojnë shumë njerëz. Vëllezërit e motrat, me të cilët ndajmë të njëjtin fat, ka rrezik të mos shihen si qenie njerëzore, që kanë të drejtë të jetojnë me dinjitet, por të konsiderohen thjesht klientë. Pikpamje të tilla, në disa raste, çojnë në një varësi të panevojshme nga rrjetet, nga procedurat, nga burokracia dhe furnizojnë me ujë vetëm personat, në gjendje të paguajnë. Kufizim tjetër i këtij këndvështrimi është se, në këtë rast, kujdesi e mbrojtja e ambientit bëhen të rëndësishme vetëm kur ka leverdi ekonomike.
Forumi për Ujin, që po zhvillohet në Marsejë, synon t’i bëje thirrje bashkësisë ndërkombëtare për administrimin më të mirë të ujit, apo jo?
Thirrja mund të jetë kjo: të kalohet nga fjalët tek veprat. Vërtet, motoja e Forumit, “Është koha për zgjidhje”, e shpreh këtë. Nuk mund të jetë më e përshtatshme, sipas Këshillit Papnor për Drejtësinë e Paqen, i cili pas takimeve të mëparshme në Kioto, në Meksiko e në Stamboll, e konsideron të nevojshme marrjen e masave konkrete. Ujit i takon një rol themelor në zhvillimin e popujve. Kjo thirrje e Selisë së Shenjtë pasqyrohet në kërkesën për një qeverisje ndërkombëtare, e cila duhet të parashikojë kontrollin e impenjimeve të marra nga shtetet, fuqizimin e bashkëpunimit në planin shkencor, teknologjik e administrativ, krijimin e autoriteteve përkatëse në nivel rajonal dhe ndërkufitar, ngritjen e gjykatave për denoncimet e mundshme dhe fuqizimin e agjencisë së OKB-së për mbrojtjen e ambientit, UNEP.
Kur flasim për ujin e pijshëm, duhet pritur gjithnjë vendimi politik, apo ka diçka që mund të bëjnë njerëzit vetë?
Besoj se po, mund të bëjnë shumë. Mendoj se përgjegjësia e parë për ujin i takon shoqërisë civile, sepse uji është pronë e përbashkët, pasuri publike. Për arritjen e qëllimeve të saj, shoqëria civile organizon bashkësinë politike, e cila merret me administrimin e pasurisë së përbashkët. Por, nëse përfaqësuesit politikë nuk e administrojnë mirë këtë pasuri, nuk e shpërndajnë në mënyrë të barabartë, atëherë, shoqëria civile duhet të mobilizohet e ta nxisë politikën të respektojë të drejtat e të gjithëve, në këtë rast, të drejtën për të pasur ujë të pijshëm. Edhe nëse shpërndarja e ujit e administrimi i tij bëhet nga privatë, është e nevojshme që ata të kontrollohen e të orientohen, duke marrë parasysh kërkesat e së mirës së përbashkët.








All the contents on this site are copyrighted ©.