2012-03-13 15:54:13

Të bashkuar rreth Pasardhësit të Shën Pjetrit


Së shpejti, Papa Benedikti XVI do të shkojë në Meksikë e në Kubë, në një shtegtim apostolik nga 23 deri më 29 mars. Është udhëtimi i tij i 23-të jashtë Italisë, gjatë të cilit, Ati i Shenjtë viziton edhe vendin e 23-të që nga fillimi i papnisë. Të dyja shtetet përjetojnë një situatë veçanërisht delikate, për arsye të ndryshme. Në Meksikë, është ashpërsuar konflikti ndërmjet trafikantëve të drogës dhe ndërmjet tyre e qeverisë; në Kubë, bëhen hapat e para për t’ia ndryshuar disi fytyrën, regjimit të Fidel Kastros, por vështirë të thuhet se vendi po del nga komunizmi.
Sot, kryeipeshkvi i Santiago de Cuba, në afërsitë e të cilit ndodhet shenjtërorja e Zojës së Caridad del Cobre, ku do të shkojë Benedikti XVI, dha disa orientime shpirtërore drejtuar të gjithë katolikëve, që do të mblidhen rreth Atit të Shenjtë, për të kremtuar 400-vjetorin e gjetjes së figures së Zojës. Imzot Dionizio Garsia Ibànjez thekson se Papa vjen si Shtegtar i Dashurisë së krishterë. “Për ne kubanët, kjo fjalë – shton kryeipeshkvi – ka një kuptim të thellë e të mrekullueshëm, sepse është emri i Nënës dhe i Pajtores sonë. Zoja e Dashurisë së krishterë është simbol i “cubanìa”-s, i të qenit kuban, prandaj i mbledh rreth vetes të gjithë, besimtarë ose jo. E dashuria është i vetmi virtyt, që mund t’i bëjë kubanët vëllezër e motra”.
Në këtë këndvështrim kryeipeshkvi i fton katolikët të përgatiten shpirtërisht për vizitën e Papës, duke e lënë mënjanë urrejtjen, duke ndihmuar njëri-tjetrin, sidomos më të vobektit, e duke u lutur vazhdimisht. E presim Benediktin XVI, duke zbukuruar kishat, shtëpitë e rrugët, por mbi të gjitha, duke përtërirë shpirtin, përfundon kryeipeshkvi i Santiago de Cuba. Imzot Ibànjez shpall një fushatë solidariteti e bamirësie, gjatë së cilës askush nuk duhet të qëndrojë indiferent para vuajtjes së të tjerëve.
Edhe në Meksikë, vendi i dytë më katolik i botës, pas Brazilit, popullsia po përgatitet të përcjellë Papën, gjatë vizitës në tri qytete në shtetin e Guanaguatos, me rastin e 200 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, etapë e përbashkët për shumë vende të Amerikës Latine. Vetë Meksika e ka kremtuar atë në vitin 2010, por për të e për vendet e tjera, arritja e pavarësisë ka zgjatur disa vjet, e kështu, edhe festimet e jubiletë e shpallura me këtë rast. “Shpresa” është tipari karakteristik i shtegtimit të Benediktit XVI në Meksikë, ku numri i katolikëve është pakësuar gjatë dhjetë vjetëve të fundit. Megjithatë, pavarësisht nga shifrat, popullsia katolike dallohet për devocionin e saj. Sipas kryeipeshkvit të Leonit, imzot Hosé Guadalupe Martin, pakësimi i katolikëve nga 88% në 84% të popullsisë, varet edhe nga ardhja e ungjillorëve dhe pentekostalëve, shumë të përhapur në Amerikën e Veriut, si edhe nga rritja e numrit të sekteve. Qëndrimi i Papës mbi këto argumente shpjegohet në një doracak, shpërndarë këto ditë në famullitë e vendit. Si Meksika, ashtu edhe Kuba, presin me padurim ardhjen e Benediktit XVI, qëllimi kryesor i të cilit është përforcimi në fe i grigjës së Zotit në këto vende.








All the contents on this site are copyrighted ©.