2012-03-13 15:55:00

Bibla, Libri i librave: dy fjalë për Besëlidhjen e Vjetër


Para se të arrijmë tek fjala e fundit për atë, që shumë mjete komunikimi, në mbarë botën, e quajtën gabimisht “Bibël”, të lashtë, të shkruar 1500 vjet më parë, gjetur kohët e fundit në Turqi, na u duk e arsyeshme, ditë më parë, të sqarojmë cilat janë dorëshkrimet më të lashta të Shkrimit Shenjt,
për të vijuar, në disa emisione, me kuptimin e vetë fjalës “Bibël”, me burimin, prejardhjen dhe vazhdimësinë e saj. Duke arritur tek e vërteta mbi Ungjillin apokrif të Barnabës.
Bibla (nga greqishtja e lashtë βιβλίον, libri; sh. βιβλία, librat) është libri i shenjtë i fesë hebraike dhe i asaj të krishterë. Quhet edhe Shkrimi Shenjt e nuk mund të krahasohet me asnjë libër tjetër, krijuar nga njerëzmi në shekuj. Ka zanafillë, zhvillim e qëllim krejt të ndryshëm nga miliona librat njerëzorë. Sepse, hyjnor.
Bibla hebraike quhet “Tanakh”. Dallohet nga Bibla e krishterë, sepse në këtë të fundit u shtuan disa libra, ndërsa vetë Libri i Shenjtë u nda në dy pjesë: në Besëlidhjen e Vjetër: 46 libra shkruar para ardhjes së Krishtit e në Besëlidhjen e Re, 27 libra, shkruar pas Krishtit, Ungjij, vepra apostujsh e letra.
Sipas traditës së krishterë katolike veriore, dy pjesët e Biblës quhen Testamendi i Vjetër e Testamendi i Ri; sipas asaj ortodokse jugore, Dhjata e Vjetër dhe e Re. Varianti në përdorim nga Kisha shqiptare përdor fjalën Besëlidhje, përkthim në shqip i fjalës hebraike “Berith” – lidhje, godi, pakt. Është, pra, një besë e lidhur ndërmjet Zotit dhe popullit të zgjedhur. Shkurt, është Besëlidhja, Dhjata, Testamenti i Sinait (Dal 21,8). Kjo besë e lidhur përshkon të gjithë librat e Shkrimit Shenjt, e të gjithë shekujt e jetës së njerëzimit, deri në mbarim të Kohëve.
Mund të themi, prandaj, se emërtimi Besëlidhja e Vjetër e Besëlidhja e Re, vënë në pah dy periudha tejet të gjata kohe: atë të Kohës së vjetër, që përgatiti ardhjen e Mesisë, Krishtit; dhe të Kohës e re, të Krishtit, Mesisë, që për Biblën e krishterë është koha përfundimtare. Mbyllet me Ditën e Madhe, Gjyqin e Mbramë.
Bibla përmbledh disa libra, të ndryshëm përsa i përket zanafillës, gjinive e kohës kur u shkruan, pa harruar se kaluan në shkrim nga një traditë e gjatë gojore, së cilës është e vështirë t’i shkohet deri tek rrënjët.
Prej më se një shekulli, kritika biblike përpiqet të përcaktojë kohën kur u krijuan librat e ndryshëm, që përbëjnë Biblën. Janë arritur rezultate të kënaqshme vetëm për disa Libra, e në mënyrë të veçantë, për disa nga Psalmet që, artistikisht, përbëjnë një nga kapitujt më kulmorë të Shkrimit Shenjt, duke u renditur në krye të një liste, e cila përfshin titujt e njëqind librave më të lexuar në botë. Nuk ka njeri të kulturuar që të mos i njohë Psalmet, e, më në përgjithësi, Biblën.
Më i vështirë është datimi i Librit të Ligjit të përtrirë (Deuteronomit, i fundmi i Pentateukut, pesë librave të parë të Biblës, titulli më i lashtë hebraik i të cilëve është TORAH (ligj) o HATTORAH (ligji). Këto libra njihen edhe me emra të tjerë, si “Ligji i Moisiut”, “Libri i Ligjit; “Libri i Moisiut, dhe “Libri i ligjit të Moisiut!”).
Termi “Bibla hebraike” përdoret për të treguar vetëm librat e shenjtë të fesë hebraike, ndonëse përdorimi i një termi të tillë është i pasaktë, sepse, siç e shpjeguam më sipër, etimologjia e fjalës Bibla është greke e ka thjesht kuptimin Libër e Libra. Termi hebraik Tanakh, pa kuptim në gjuhën hebraike, formohet nga bashkimi i germave fillestare të pjesëve, në të cilat grupohen 36 Libra të Shkrimit Shenjt, term tjetër ky.
Janë: Torah (Ligji; Mësimi; Pentateuku, që, në greqishten e lashtë, do të thotë 5 arkat); Neviim (Librat e Profetëve të lashtë e më të vonë); Ketuvim (Shkrimet e shenjta hagjiografike në gjuhën greke).
Besëlidhja e Vjetër e krishterimit ndahet në Pesëlibërshin dhe në Librat historikë. Këta të fundit degëzohen në libra deuteronomistë, historikë, poetikë (kujtojmë ‘Këngën e Këngëve’), didaktikë e urtie. Së fundi, kemi Librat profetikë.
Të gjithë librat e Biblës hebraike fillimisht u shkruan në hebraisht, me përjashtime të pandjeshme pjesësh shkruar në gjuhën aramaike, gjuha e Krishtit.
Në mjediset hebraike, disa rryma, posaçërisht saduçejtë, e konsideronin si të shenjtë vetëm Torah, e kështu edhe samaritanët, sipas të cilëve Libra kanonikë ishin vetëm Pentateuku dhe Libri i Jozuehut.
Ndërsa bashkësitë hebraike të gjuhës greke ndiqnin një kanon më të gjerë nga ai hebraik, variantin e ‘Të Shtatëdhjetëve’. Në shekullin I pas Krishtit, hebraizmi e konsideroi si përfundimtar kanonin palestinez, më i përmbledhur se ai aleksandrin.
Bibla nuk ka autor. Është vepër e një mori autorësh me emra të panjohur; krijim i mbarë një populli të frymëzuar drejtpërdrejt nga Hyji, pra, gjurmë e gjallë e Hyjit në jetën njerëzore, në shekuj. Është Fjala e Zotit, i cili thirret El, Elohim, Adonai, YHWH, i Tejetlarti, i Amshuari, Shenjti, Zoti i ushtrive, por që mbetet një Zot i vetëm: Krijuesi, që i drejton Fjalën krijesës, për t’i prirë drejt tokës së re e qiellit të ri.
Filloi të transmetohej brez pas brezi, që nga kohë të mugta. Nisi në Egjipt, e u krye në Patmos, pas dhjetra shekujsh. Filloi nga koha kur nuk shkruhej, por mbahej mend e transmetohej gojarisht nga breznia në brezni, për t’u shkruar me cifla guri mbi baltë të njomë; me pupël, mbi papirus e pergamenë, pastaj...e për të ardhur në kohën e internetit, që nuk mund t’i shpëtojë “frymëzimit hyjnor”. Përkundrazi!Më pas, jemi të sigurtë, do të shtegtojë edhe në planetet e tjera, ku ka shumë mundësi të zbulohen variante të reja të Fjalës të Krijuesit të universit!







All the contents on this site are copyrighted ©.