2012-03-12 15:34:56

Video mbi Konin, tiranin e fëmijëve ushtarë. Koment i Kishës ugandeze


Uganda është këto ditë në qendër të diskutimeve botërore, falë internetit. Një video e Jozef Konit, i cili quhet edhe “tirani i fëmijëve ushtarë”, ka pasur 70 milion spektatorë në Youtube dhe është përhapur në të gjithë botën falë rrjeteve shoqërore. Dokumentari, me titull “Koni 2012”, është realizuar nga organizata jo qeveritare amerikane “Invisible Children” (Fëmijë të Padukshëm). Tregon jetën e fëmijëve ushtarë në Ugandë. Fëmijët shfrytëzohen për luftë nga “Lord’s Resistance Army”(Ushtria e Rezistencës e Zotit), organizatë e njohur ushtarake, e udhëhequr nga Jozef Koni, kundër qeverisë ugandeze, që nga viti 1987. Në 25 vjet, sipas videos, kjo organizatë ka përdorur për luftë e për prostitucion, rreth 20 mijë fëmijë të rrëmbyer nga familjet e tyre. Që nga viti 2005, Jozef Koni kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, për krime kundër njerëzimit e krime lufte. Sipas Kishës lokale, dokumentari tërheq vëmendjen ndaj një fenomeni, që i shkakton vuajtje të jashtëzakonshme kombit ugandez. Ipeshkvi i Bangasusë, imzot Huan Hosé Agirre, duke e komentuar, deklaroi: “Kam numëruar çdo lot të këtij populli, të cilin e inkurajoj të mos e humbë shpresën. Sidomos, u drejtohem sa e sa familjeve, të cilave u kanë rrëmbyer fëmijët me forcë e vajzat ua kanë shndërruar në skllave seksuale. Prej vitesh, Kisha ugandeze sinjalizon këtë fenomen, por asgjë s’ka lëvizur. Tani, që kjo kuçedër doli nga shpella, dashtë Zoti, të zhduket përgjithmonë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.