2012-03-12 15:33:53

Sulme kundër të krishterëve në Nigeri. Kryeipeshkvi i Zhos: liderët fetarë duhet ta përballojnë dhunën, duke u nisur nga rrënjët e saj.


Tre të krishterë të tjerë u vranë sot paradite gjatë një sulmi, kryer në një fshat pranë Xhos, ku dje një autobombë shkaktoi vdekjen e më se dhjetë vetëve. Atentati i djeshëm kundër një kishe katolike, u pasua nga raprezalja mbi bashkësinë myslimane, akuzuar si shkaktare e sulmit. Por atentatet janë ende pa autor, ndonëse gjithçka të kujton aksionet e grupit islamik Boko Haram, i cili këto ditë ka deklaruar se do t’i shkulë me gjithë rrënjë të krishterët nga Nigeria veriore. Për këtë situatë tragjike në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, intervistuam, me telefon, nga Xhos, ipeshkvin e vendit, imzot Ignatius Kaigama:RealAudioMP3

Përgjigje: - Situatë e rëndë: Xhos është plot me të vdekur e të plagosur. Pa kaluar mirë as dy javë, i njëjti grup sulmoi një Kishë tjetër. Menduam se e keqja më e madhe kishte kaluar, ndërsa u përsërit, duke na zhytur përsëri në lot, në zi, në frikë. Jemi përballë një fanatizmi, që duhet ta përballojmë të gjithë ne, liderët e krishterë e myslimanë. Unë jam më se i bindur se shumë myslimanë nuk kanë të bëjnë fare me këtë grup fanatikësht gjakatarë. E vijoj të ngul këmbë se duhet të flasim, të dialogojmë, të gjejmë shkaqet e kësaj dhune e ta shkulim nga rrënjët, duke predikuar dashurinë e pajtimin.

Pyetje: - Ndërkaq duhet kërkuar që qeveria të garantojë sigurinë...
Përgjigje: - Mbrëmë, qeveria e shtetit Plato, kreu i policisë dhe personalitete të tjera të qeverisë, erdhën tek unë. U ndaluam gjatë tek rrugët që duhen ndjekur për ta përballuar këtë situatë. Është detyra e tyre ta gjejnë një rrugëdalje, sepse janë ata që i kanë mjetet e nevojshme për t’i bërë ballë situatës. Ne s’kemi pushkë, as topa. Luftojmë me fjalë, me lutje, me rruzare. Ata, me agjencitë e sigurimit, me të gjitha burimet e mundshme për të përballuar sulmet, që po përsëriten tepër shpesh mbi bashkësinë tonë. Jam më se i bindur se qeveria dhe agjencitë e sigurimit, në se bashkëpunojnë seriozisht, mund ta gjejë shumë shpejt rrugëdaljen nga kjo situatë.







All the contents on this site are copyrighted ©.