2012-03-12 15:34:44

Ligji financiar i SHBA-ve. Ipeshkvijtë kritikojnë shkurtimet, që penalizojnë të varfërit


Mbrotja e jetës dhe e dinjitetit njerëzor, pasojat e bilancit financiar mbi të varfërit dhe e mira e përbashkët e punëtorëve dhe e familjeve, që “e kanë të vështirë të jetojnë me dinjitet në krizën aktuale ekonomike”: këto janë kriteret, që duhet të udhëheqin qeverinë dhe ligjëvënësit në miratimin e bilancit të ardhshëm federal. Më këtë mesazh, ipeshkvijtë e SHBA-ve iu drejtuan këto ditë, përfaqësuesve dhe senatorëve të Kongresit, në dy letra, nënshkruar nga imzot Stefën Bleir dhe nga imzot Riçard Pejts, njëri në krye të Komisionit për Drejtësinë Kombëtare e Zhvillimin njerëzor e, tjetri, president i Komisionit për Drejtësinë Ndërkombëtare e Paqen, në Konferencën Ipeshkvnore amerikane. Letrat shprehin shqetësimin e ipeshkvijve për shkurtimet e fondeve në programet jetike për më të varfërit. Prelatët mbështesin disa masa të administratës Obama për vitin 2013, por kritikojnë ashpër ato pika të projektbuxhetit, paraqitur në shkurt, të cilat penalizojnë sidomos familjet më në vështirësi, por edhe impenjimin amerikan për zhdukjen e varfërisë në botë.
Gjithashtu, prelatët theksojnë nevojën, që asistenca shëndetësore të respektojë jetën dhe lirinë fetare. Kujtojmë se receta e Barak Obamës për buxhetin, nga e cila do të varet edhe rizgjedhja e tij në presidencën amerikane në nëntor të këtij viti, parashikon të mos financojë ato struktura publike, ku bëjnë pjesë edhe shumë spitale e qendra shëndetësore të Kishës Katolike, që nuk japin pilulën abortive. Njëkohësisht, shkurton ndjeshëm mundësinë e asistencës për të moshuarit e për të sëmurët rëndë, që kërkojnë mjekime afatgjata. Pikat e bilancit prej 3.800 miliard dollarësh, me të cilat është dakord Kisha, janë: investimet në shkolla e infrastruktura, rritja e taksave për të pasurit, shkurtimet e fondeve për Departamentin e Mbrojtjes dhe kujdesi ndaj formimit profesional, me synim rihapjen e vendeve të punës në SHBA.







All the contents on this site are copyrighted ©.