2012-03-12 15:34:06

Ipeshkvi i Same: kemi frikë se kolera e fondamentalizmit do t’i ngjitet edhe Tanzanisë.


Pas sulmeve të reja kundër bashkësisë katolike të Xhos-it, në Nigeri, ipeshkvi i Same, imzot Rogatus Kimaryo shpreh, me telefon, shqetësimin për rrezikun e përhapjes së sëmundjes së fondamentalizmit të ekstremistëve të Boko Haramit edhe në Tanzani.
Lajmin për këtë rrezik e jep Lëvizja “Ndihmë për Kishën që vuan”, duke kujtuar edhe se 45 milionë tanzanezë janë të krishterë, domethënë 53% e popullatës; ndërmjet tyre, 12 milionë katolikë, ndërsa myslimanët përbëjnë 32% e animistët, 13%. Deri më sot, ndërmjet të krishterëve e myslimanëve ka mbretëruar një harmoni e plotë, por ndeshjet në Nigeri dhe atentatet e fanatikëve të Boko Haramit kanë ngjallur një atmosferë të vërtetë alarmi e ankthi edhe në gjirin e bashkësisë së krishterë të Tanzanisë. Për këtë atmosferë, flet, me telefon nga Same, Imzot Rogatus Kimaryo:RealAudioMP3

Përgjigje: - Në vendin tim, nga pavarësia deri më sot, kemi jetuar në një atmosferë të vërtetë paqeje. Por, që prej dhjetë vjetësh e këtej, kanë nisur të lëvizin grupet fondamentaliste myslimane, që vërtiten në zona të ndryshme të vendit, duke sharë të krishterët, edhe Kishën katolike. Na akuzojnë se përfitojmë nga ndihmat e qeverisë e nga pasuria e vendit. Nga sharjet, tek ndeshjet, disa prej të cilave, edhe në Dar-es Salaam.

Pyetje: - Druheni se ajo, që po ndodh në Nigeri, mund të prekë edhe Tanzaninë?

Përgjigje: - E kemi këtë frikë, sepse, po të ndodhë diçka në një vend, mund të përhapet lehtësisht në të gjitha vendet e tjera afrikane. Prej këndej, ajo që po ndodh në Nigeri me Boko Haramin, është e rrezikshme. Unë kam shumë frikë. Jo për vete, natyrisht, por për popullin tim. Duhet të takohemi me liderët politikë, e edhe me liderët myslimanë, për të dialoguar së bashku lidhur me këto ngjarje. Do kujtuar se Kisha Katolike në Tanzani dialogon vazhdimisht me bashkësitë e tjera, ka edhe një zyrë, që merret posaçërisht me dialogun. Duhet pasur parasysh edhe se ndër ne njerëzit jetojnë shumë thjesht e se në të njëjtin fshat, madje nën të njëjtën strehë, ka anëtarë të disa bashkësive. Jetojnë si miq e shokë. Grupet fanatike hyjnë në këtë mjedis si minat në një tokë, ku ecin njerëz paqësorë. Vijnë pikërisht për të na minuar paqen! Ndërsa ne urojmë që të ketë paqe, sepse pa paqe, nuk mund të ketë as respekt për Zotin, për të tjerët e për natyrën. Ne, katolikët, jemi gati të bëjmë hapin e parë, për të treguar se interesohemi për të tjerët, edhe për myslimanët, natyrisht. Por këtë duhet ta bëjnë edhe liderët myslimanë.









All the contents on this site are copyrighted ©.