Më 11 mars kalendari kujton shën Sofronin e Jersualemit, Patrik
Sofroni, sirian nga Damasku, u zgjodh patrik i Jerusalemit në vitin 634. Palestina
e kohës së tij jetonte në atmosferën e sulmit të afërt të Abu-Bekr, vjehrrit të Muhametit
(632) dhe të kalifit Omar. Vetë Sofroni atë vit nuk mundi të kremtonte, si zakonisht,
Krishtlindjen në Kishën e Lindjes së Krishtit në Jerusalem, për shkak të rrethimit.
Por përveç këtij armiku të Jerusalemit, Patrikut iu desh të përballonte edhe herezinë
e monoteizmit, që propozonte një model kristologjik të paplotë e kufizues. Sipas kësaj
herezie, në Krishtin ekziston vetëm një mënyrë veprimi, vetëm një energji veprimi,
kundër dy natyrave të njësuara në Krishtin, asaj Hyjnore e njerëzore. Së bashku
me Maksimin, që njihet me epitetin “Rrëfyesi”, Sofroni u përpoq të luftonte, duke
përdorur si armë pendën. Shkroi shumë kundër herezisë, që dilte nga vetë oborri perandorak
i Kostandinopojës. Fatkeqësisht iu desh të jetonte një ngjarje tejet të hidhur: dorëzimin
e qytetit në duart e kalifit Omar, në vitin 638. Vdiq pak ditë më pas. Nga ai shpëtuan
vetëm disa poezi e letra.