Liturgjia e Fjalës së Zotit e së dielës së tretë të Kreshmëve
Të ndjekim Liturgjinë e Fjalës së Zotit të së dielës së tretë të Kreshmëve
Nga Libri
i Daljes (20,1-17)
1 Atëherë Zoti i tha të gjitha këto fjalë:
2 “Unë jamë Zoti Hyji yt që të nxora nga dheu i Egjiptit, prej shtëpisë
së skllavërisë. 3 Mos ki tjetër Zot, përveç meje. 4 Mos
bëj kurrfarë idhulli, as farë përfytyrimi të gjërave që janë lart në qiell, as të
gjërave që janë poshtë mbi tokë, as të gjërave që janë në ujë nën tokë. 5
Mos i adhuro ato as mos u jep farë nderimi, sepse unë, Zoti, Hyji yt, jam Hyj ziliqar
që e ndëshkoj paudhësinë e etërve në fëmijë deri në të tretin e në të katërtin brez
të atyre që më urrejnë, 6 por që jam i mëshirshëm me mijëra brezni për
ata që më duan e i zbatojnë urdhërimet e mia. 7 Mos e merr nëpër gojë
kot emrin e Zotit, Hyjit tënd, sepse Zoti s’do ta lërë pa ndëshkuar atë që do ta marrë
nëpër gojë kot emrin e Zotit, Hyjit të vet. 8 Të bie në mend ta shenjtërosh
ditën e shtunë: 9 gjashtë ditë puno e kryej të gjitha punët e tua; 10
kurse e shtata ditë është e shtuna e Zotit, Hyjit tënd: mos bëj kurrfarë pune ti as
biri yt, as bija jote, shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafsha jote, as i huaji
që banon te ti. 11 Sepse gjatë gjashtë ditëve Zoti i bëri qiellin e tokën
e detin e gjithçka gjendet në to e pushoi ditën e shtatë; prandaj Zoti e bekoi ditën
e shtatë dhe e shenjtëroi. 12 Nderoje babain tënd e nënën tënde që ta
kesh jetën e gjatë përmbi tokë që do ta japë Zoti, Hyji yt. 13 Mos vra! 14
Mos bëj kurorëthyerje! 15 Mos vidh! 16 Mos bëj dëshmi
në rrenë kundër të afërmit tënd! 17 Mos i lakmo shtëpisë së të afërmit
tënd. Mos i lakmo gruas së tij, shërbëtorit, shërbëtores; as kaut, as gomarit,
asnjë gjëje që i përket atij.”
Nga Psalmi 18 Ref. O Zot, ti i
ke fjalët e jetës së amshuar
8 I përsosur është Ligji i Zotit,
shpirtin përtërin; për t’u besuar është Dëshmia e Zotit, të miturve u jep
dijen. 9 Urdhërimet e Zotit janë të drejta, kënaqin zemrën; urdhri
i Zotit është i qartë, dritë u jep syve. 10 E panjollë është frika
e Zotit, nuk ndërron në shekuj të shekujve; gjyqet e Zotit janë të vërteta,
të gjitha njësoj të drejta. 11 Më të çmueshme se ari, se më
i pastri ar, më të ëmbla se mjalti, se hoja që rrjedh mjaltë.
Nga
Letra e pare e Shën Palit drejtuar korintasve
22Vëllezër, ndërsa
hebrenjtë kërkojnë mrekulli e grekët lypin urti, 23 ne predikojmë Krishtin
e kryqëzuar - për hebrenj skandal e për paganë marri, 24 kurse për të grishurit
- si për hebrenj si për grekë - Krishtin - fuqinë e Hyjit dhe dijen e Hyjit. 25
Sepse, çka në Hyjin duket marri, është më e dijshme se njerëzit e çka në Hyjin duket
dobësi, është më e fuqishme se njerëzit.
Lavdi e nder ty, o Jezu Krisht Hyji
aq fort e deshi botën sa që dha një të vetmin Birin e vet kështu që, secili
që beson në të, të mos birret, por të ketë jetën e pasosur. Lavdi
e nder ty, o Jezu Krisht
Nga Ungjilli sipas Gjonit
13
Ishin afër Pashkët e hebrenjve e Jezusi u ngjit në Jerusalem. 14 Në Tempull
gjeti shitës qesh, delesh e pëllumbash dhe këmbyes të hollash duke ndenjur aty. 15
Atëherë punoi një frushkull konopësh dhe i dëboi nga Tempulli të gjithë së bashku
me dele e me qe. Këmbyesve u derdhi të hollat dhe u rrëzoi tavolinat. 16
Shitësve të pëllumbave u tha: “Hiqini këta prej këndej e mos e bëni shtëpinë e
Atit tim, shtëpi tregtie!” 17 Nxënësit e tij u kujtuan se është në Shkrimin
e shenjtë: “Zelli për Shtëpinë tënde më bren!” 18 Atëherë ndërhynë
judenjtë dhe e pyetën: “Ç’shenjë na jep duke vepruar kështu?” 19
Jezusi iu përgjigj: “Rrënojeni këtë Tempull e unë do ta rindërtoj për tri ditë!” 20
“Dyzet e gjashtë vjet zgjati ndërtimi i këtij Tempulli - iu përgjigjën judenjtë -
e ti do ta ndërtosh për tri ditë?” 21 Porse Jezusi foli për tempullin
e trupit të vet. 22 Kur u ringjall prej së vdekuri, atëherë u ra ndër mend
nxënësve se këtë kishte dashur të thotë dhe i besuan Shkrimit të shenjtë e fjalës
që tha Jezusi. 23 Gjatë qëndrimit të Jezusit në Jerusalem në kohë të
festës së Pashkëve, shumë besuan në Emrin e tij, kur panë shenjat që bëri. 24
Porse vetë Jezusi nuk kishte shumë besim në ta, sepse i njihte mirë të gjithë. 25
Nuk kishte nevojë t’i dëshmonte kush për njeriun: sepse ai e dinte mirë çka njeriu
ndryn përbrenda.