2012-03-11 16:50:57

Editoriali i atë Lombardit: Tërmeti, pas një viti


Mbushet sot një vit nga tërmeti, që goditi Japoninë pikërisht më 11 mars, duke shkaktuar probleme të tilla me reaktorin bërthamor të Fukushimës, sa ta bënte krejt botën të dridhej nga frika e një shpërthimi bërthamor, me pasoja të pallogaritshme. Në shumë vende ndryshoi politika energjitike, duke përjashtuar prodhimin e energjisë nga centralet bërthamore. Zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi komenton sot pikërisht këtë ngjarje:RealAudioMP3

“Tërmeti i fuqishëm, që goditi Japoninë, më 11 mars të vitit të kaluar, mbetet i ngulitur jo vetëm në kujtesën e popullit të Lindjes së Largët, por edhe të botës mbarë, ashtu si tsunami akoma më i frikshëm i dhjetorit 2004, në Oqeanin Indian, me qindra mijëra viktimat e tij. Tërmeti dhe tsunami japonez shkaktuan 20 mijë të vdekur, duke zënë mat një vend, që bashkëjeton prej shekujsh me këto katastrofa, pa mundur gjithsesi, të parashikojë këtë të fundit. Fatkeqësi, që vazhdoi me aksidentin impresionues të centralit bërthamor të Fukushimës, me pasoja më pak të dukshme e më afatgjata. Besimi në shkencën, planet e emergjencës, krejt politika energjitike e një vendi të përparuar e të organizuar u vunë seriozisht në dyshim. Sot, në Japoni, funksionojnë vetëm katër reaktorë bërthamorë, ndërsa 50 të tjerët janë ndalur. Studiuesit mendojnë se lëkundjet e vitit të kaluar kanë krijuar një gjendje jo të qëndrueshme, që e bën edhe më të madh probabilitetin për një tërmet tjetër. Jeta, perspektivat, kanë ndryshuar. Të gjithë e admiruam mënyrën e guximshme, plot dinjitet e solidaritet, me të cilën populli japonez reagoi para tragjedisë dhe u organizua për të mbartur mbi vete pasojat. Në ditën e së Premtes së Madhe, duke iu përgjigjur pyetjes së një vogëlusheje japoneze, në një emision televiziv, Papa i thoshte: “Edhe unë e pyes veten pse ndodhi kjo. Nuk mund të përgjigjemi, por dimë se Jezusi vuajti për ne, megjithëse i pafajshëm. Zoti më do, është me mua, një ditë do ta kuptoj se kjo vuajtje nuk është e kotë. Të jesh e sigurtë se ne jemi me ty, me të gjithë fëmijët japonezë, që vuajnë. Lutemi së bashku, që për ju, të arrijë sa më shpejt drita”.
Para një tragjedie më të madhe nga sa mund të mbajmë mbi supe, nuk duhet humbur shpresa e duhet gjetur kuptimi më i thellë e më i qëndrueshëm i fatit tonë të përbashkët, i udhës sonë mbi tokë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.