2012-03-11 16:50:00

Benedikti XVI në Mbrëmësoret me Rouan Uiljams: Dialog ekumenik me durim, shpirtmadhësi e ndjesë reciproke.


Të zgjedhësh Zotin, do të thotë ta kultivosh me durim dialogun ekumenik e ndërfetar, duke pranuar kohët e Tij e duke e ruajtur gjithnjë të paprekur karizmën e zanafillës. Kështu u shpreh Papa mbrëmë, gjatë Lutjeve në Bazilikën romake të Shenjtorëve Andrea e Gregori, në Çelio, me pjesëmarrjen e kryeipeshkvit të Kanteburit, Rouan Uiljams, primat i Bashkimit anglikan. Kremtimi u mbajt në kuadrin e njëmijëvjetorit të themelimit të Eremitazhit Kamaldolez.RealAudioMP3

Një përqafim i ri ekumenik i Kishës së Romës me Bashkimin anglikan mbrëmë, në Manastirin e Shën Gregorit, në Çelio. Papa iu drejtua murgjërve kamaldolezë me fjalët e shën Palit, duke i ftuar t’ia hapin gjithnjë shpirtin hirit, të përfitojnë nga çasti i përshtatshëm e ta pranojnë në jetën e tyre vetë Jezusin, Vetjen e Tij, Fjalën e Shpirtin e Tij. E i nxiti edhe të përpiqen për t’i qëndruar besnikë Zotit në shërbimin e tyre të përditshëm, që ky shërbim të mos bëhet pengesë për fenë, por të japë fryte të begata:
“Këto fjalë na bëjnë të mendojmë për Shën Gregorin e Madh, për dëshminë e ndritur, që i dha popullit të Romës dhe mbarë Kishës, me shërbimin e tij të paqortueshëm e plot zell për Ungjillin. Vërtet mund t’i përshtaten edhe Gregorit, fjalët, që Shën Pali i shkroi për vete: hiri i Zotit në të nuk qe i kotë (cfr 1 Kor15,10). E ky është edhe sekreti për jetën e secilit nga ne: ta pranojmë hirin e Hyjit, e ta miratojmë me gjithë zemër, me gjithë vetveten, veprimin e tij. Ky është edhe sekreti i gëzimit të vërtetë, i paqes së thellë të shpirtit”.
Papa vijoi të ngulmonte mbi fjalët e Apostullit të Popujve drejtuar Kolosianëve, për t’i formuar sipas Ungjillit, që të vepronin në emër të Zotit në çdo hap, në çdo fjalë, në çdo vepër, duke jetuar sipas masës më të lartë të jetës së krishterë, shenjtërisë:
Edhe këtu në bazë të të gjithave është hiri i Hyjit, dhurata e thirrjes, misteri i takimit me Jezusin e gjallë. Po ky hir kërkon edhe përgjigjen e të pagëzuarve: kërkon përpjekjen për të përvetësuar ndjenjat e Krishtit: butësinë, mirësinë përvujtërinë, urtinë, shpirtmadhësinë, ndjesën reciproke e, mbi të gjitha, si përmbledhje e kurorëzim, agapen, dashurinë, që Zoti na e dhuroi përmes Jezu Krishtit e që Shpirti Shenjt e ndikoi në zemrat tona. E për t’i ngjarë Krishtit, duhet që fjala e tij të banojë ndër ne me gjithë pasurinë, me gjithë begatinë e saj”.
Kongregata e Murgjërve Kamaldolezë, vijoi Papa, mundi të përshkojë një mijë vjet histori, duke u ushqyer ditë për ditë me Fjalën e Zotit, me Eukaristinë, siç pati bërë themeluesi, Shën Romualdi, sipas së mirës së trifishtë kamaldoleze: vetmi, jetë në bashkësi e ungjillëzim. Prej këndej, Papa kujtoi disa nga personalitetet më të spikatura kamaldoleze, Kodin e Kamaldolit, një nga burimet më domethënëse të Kushtetutës së Republikës Italiane dhe iskra të tjera të historisë njëmijëvjeçare të kamaldolezëve, që sot janë të pranishëm nga SHBA, në Tanzani, Indi, Brazil e vise të tjera, të largëta e të afërta të botës. Papa kujtoi edhe moton kamaldoleze: “Ego Vobis, Vos Mihi"- “Unë jam juaji, ju të mitë!” . Prej këndej, Benedikti XVI, duke cituar të Lumin Gjon Pali II, preku temën ekumenike, aq të pranishme në këtë përqafim të dy Kishave:
“Paraardhësi im i Lum pati nënvizuar, ndërmjet tjerash, se të zgjedhësh Zotin, do të thotë ta kultivosh dialogun ekumenik e dialogun ndërfetar me përvujtëri e durim, duke pranuar kohët e Tij e duke e ruajtur gjithnjë të paprekur karizmën e zanafillës, marrë nga Shën Romualdi e përçuar përmes një tradite të larmishme mijëvjeçare”.
Në përfundim Papa u drejtoi të pranishmëve thirrjen për ta jetuar së bashku gëzimin, që buron nga krishterimi, por edhe impenjimin për t’u lutur e për të punuar së bashku, katolikë e anglikanë, që kështu të arrihet në unitetin e plotë.
Para se të fliste Benedikti XVI, të pranishmit ndoqën fjalimin e kryeipeshkvit të Kanteburit, Rouan Uiljams, i cili kujtoi virtytet e Shën Gregorit dhe zemrën e vizionit të tij murgar: kredhjen e plotë në jetën sakramentore të Korpit të Krishtit, sepse vetëm kështu njerëzit mund ta njohin e ta duan me të vërtetë njëri-tjetrin:
Kisha është e thirrur ta bëjë të dukshëm këtë shpirt profetik të Shën Gregorit, këtë aftësi për të parë ku ka nevoja të vërteta e për t’iu përgjigjur thirrjes së Zotit, që na paraqitet me pamjen e nevojtarit. E kjo kërkon që, përtej paragjykimeve e stereotipeve, nga të cilat nuk shpëtojnë as besimtarët, të depërtojmë në një kulturë tejet të nxituar dhe të cektë në shumë prej gjykimeve të saj. E habitus, apo stilit të depërtimit i përket edhe habitus i njohjes me njëri-tjetrin, si përfaqësues të hirit, të mëshirës e të shpërblimit të Krishtit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.