Atë Mati Prennushi, françeskan në përvjetorin e pushkatimit nga regjimi komunist
Më 11 mars 1948 atë Mati Prennushi vdiq si martir i vërtetë i fesë dhe kombit, vra
nga komunizmi. I lindur në Shkodër, më 02 tetor 1882, nga Nikolla dhe Roza l. Kraja.
Në pagëzim mori emrin Pal. Ndoqi shkollën fillore, të mesmen dhe liceun në shkollën
françeskane në Shqipëri. Vazhdoi studimet e filozofisë në Graz (Austri). Në noviciat
hyri më 04. 08. 1896. Kushtet solemne dha më 20. 10. 1900. Shugurimin meshtarak mori
më 25 mars 1904. Mori pjesë në kryengritjen e Malsisë së Madhe dhe në Deçiq në
vitin 1911 ishte me Dedë Gjon Lulin dhe të tjerët kur u ngrit flamuri shqiptar. Ishte
gvardian, definitor, zëvendës-provincial, famullitar në Kastrat, Iballe, Gomsiqe dhe
epror i rezidencës ne Tiranë. Më në fund u bë provincial i françeskanëve në Shqipëri,
më 17. 06. 1944, e në atë detyrë mbeti deri në vdekje. E dha jetën dhe lirinë e vet
në flijim për të mirën e Shqipërisë. Në vitin 1946 qe arrestuar me akuzën e rreme
se kishte fshehur armë nën elterin e shën Antonit në kishën françeskane të Shkodrës,
dhe për këtë qe pushkatuar nga komunistët. Fjalët e tij të fundit janë dëshmi feje:
“Rroftë Krishti Mbret!” dhe: “I fali armiqtë tanë”. Vdiq më 11 mars 1948. Martir i
vërtetë. Prekëse është dëshmia e fretërve të vjetër, të cilët e mbijetuan persekutimin
komunist. Ata dëshmojnë se në qershor të vitit 1944 Provinca Françeskane Shqiptare
deshi ta zgjidhte përsëri për provincial P. Çiprian Nikën (i cili ishte provincial
edhe në vitin 1938-1941) – por P. Matia tha: “Jo! P. Çipriani ende është shumë i ri.
Po vjen komunizmi, i cili më së pari do t’i zhdukë eprorët më të lartë të Kishës dhe
të fretërve. Unë jam i vjetër dhe më pak dëm është në qoftë se më likuidojnë mua se
sa p. Çiprianin...” Kështu fretërit e zgjodhën p. Matinë për provincial, e p. Çiprianin
për gvardian të kuvendit të Gjuhadolit – por megjithatë komunistët të njëjtën ditë
i likuiduan të dytë!