2012-03-11 16:50:25

Ati i Shenjtë pret primatin anglikan, Rouan Uiljams. Pasdite, Mbrëmësoret ekumenike


Dita e djeshme, për Papën Benedikti XVI, pati një frymëmarrje të spikatur ekumenike. Paradite Papa priti në audiencë private kryeipeshkvin e Kanterburit, Rouan Uiljams, primat i Bashkimit anglikan, ndërsa pasdite, duke nisur nga ora 17.30, kryesoi Lutjet ekumenike Mbrëmësore në Bazilikën romake të Shën Gregorit në Çelio, me pjesëmarrjen e primatit anglikan. Në sfond të këtij takimi, përkujtimi i njëmijëvjetorit të themelimit të Eremitazhit të Kamaldolit, vlerën e posaçme të të cilit na e shpjegon rektori i Bazilikës së Shën Gregorit, atë Inoçenco Gargano:RealAudioMP3

Përgjigje: Shën Gregori në Çelio u është besuar nga Gregori XIII vetmitarëve të Kamaldolit, në vitin 1573. Kur erdhën këtu, manastiri, i themeluar nga Gregori i Madh në vitin 573, kishte njëmijë vjet histori.Tani lind vetvetiu pyetja: pse Papa u takua pikërisht këtu me kryeipeshkvin e Kanteburit, primat i Bashkimit anglikan? Duhet kujtuar se pikërisht nga ky manastir i Romës, Shën Gregori i Madh, në vitin 597, nisi 40 murgjër për të ungjillëzuar anglezët. Prandaj anglezët, duke filluar nga ky vit, u bënë të krishterë katolikë. Duhet shtuar, pastaj, se murgjërit e dërguar në Britani, shtuan radhët e kështu, nga manastiret angleze, dhjetra vetmitarë u nisën për të ungjillëzuar Holandën, Gjermaninë, Zvicrën e Austrinë, deri në lumin Elbë. Prej këndej mund të themi se, falë mendjemprehtësisë së Shën Gregorit të Madh, ungjillëzuan mbarë Evropën qëndrore. Duhet kujtuar edhe se Vetmitorja e Kamaldolit, e themeluar nga Shën Romualdi, mori gjithnjë frymë me dy mushkëri; një raveneze, domethënë e traditës bizantine, e një romake, domethënë e traditës latine. Veprimtaria e murgjërve u shtri deri në Bukuresht e martirët kamaldolezë dhanë dëshminë për Krishtin, duke u martirizuar në trojet e Polonisë, të Ukrainës, të Suedisë e të gadishullit skandinav.







All the contents on this site are copyrighted ©.