2012-03-09 17:51:50

Predikimi i Kreshmëve. Atë Kantalamesa: pa besim, ungjillëzimi është thjesht propagandë.


Hyjnia e Krishtit, Shpirti Shenjt, Trinia, njohja e Zotit: janë këto argumentet kryesore, që predikatari i Shtëpisë Papnore, atë Raniero Kantalamesa, do t’i zhvillojë për katër të premte me radhë, gjatë predikimeve të Kreshmëve, në praninë e Papës e të Kuries Romake, mbledhur sot në Kapelën e “Nënës së Shëlbuesit” të Pallatit Apostolik. Rregulltari kapuçin kujtoi se meditimet do ta marrin shtytjen prej disa Etërve të Kishës e do të zhvillohen sipas temës: “Mos i harroni të parët tuaj e ndiqni fenë e tyre”(Heb 13,7). Në prag të Vitit të Fesë, shpallur nga Benedikti XVI (12 tetor 2012- 24 nëntor 2013), Etërit e Kishës propozohen për t’i ridhënë freski besojmës sonë, përmes kontaktit të ri me viganët e fesë, që jetuan në të kaluarën. Do të ulemi me radhë në bankat e shkollës së katër doktorëve të Kishës Lindore: Atanasit, Bazilit, Gregor Naciancenit e Gregor Nisenit - për të dëgjuar ç’na thotë secili prej tyre ne, sot, për dogmën që shpalli. Përkatësisht: hyjnia e Krishtit; e Shpirtit Shenjt, e Trinisë e njohja e Zotit. Sot prediktari kapuçin u ndalua posaçërisht tek mësimet e Shën Atanasit, që jetoi ndërmjet shekujve III-IV, lidhur me hyjninë e plotë të Krishtit. Krishti, saktësoi, është Biri, i lindur nga Ati, por jo i krijuar:RealAudioMP3
“Hyjnia e Krishtit është sot... e vërteta me të cilën Kisha qëndron në këmbë, ose bie përdhe”.
theksoi atë Kantalamesa, për të saktësuar, më pas:
“Hyjnia e Krishtit është guri i themelit, mbi të cilin mbështeten dy misteret kryesore të fesë së krishterë: Trinia e mishërimi. Janë si dy porta, që hapen e mbyllen njëherësh. E flake këtë gur, e gjithë ndërtesa e fesë së krishterë shembet mbi vetveten: në se Biri nuk është Zot, nga kush formohet Trinia?”.
Na mëson Atanasi: nuk mund të besosh në hyjninë e Krishtit, në se nuk fiton edhe përvojën e shëlbimit të kryer nga Krishti. Pa këtë, hyjnia e Krishtit bëhet lehtësisht ide, tezë, e dihet mirë se një ideje mund t’i kundërvihet gjithnjë një ide tjetër; një teze, teza tjetër.
Po si mund të fitohet përvoja e një shëlbimi të tillë? Duke lexuar Fjalën e Zotit (e duke e marrë për atë, që është: fjalë e Zotit), duke mbarështuar e duke marrë sakramentet, posaçërisht, Eukaristinë, ku Zoti është gjithnjë i pranishëm, duke ushtruar karizmat, duke jetuar në bashkësinë e besimtarëve, duke u lutur.
Hyjnia e Krishtit e ndriçon, e mbush me dritë mbarë bashkësinë e krishterë. Pa besim në hyjninë e Krishtit, Zoti është larg; Krishti mbetet në kohën e vet; Ungjilli është një, nga shumë e shumë librat fetarë të njerëzimit; Kisha është thjesht institucion; ugjillëzimi, propangandë; liturgjia, kujtim i një së kaluare, që nuk është më; morali i krishterë, barrë tepër e rëndë e zgjedhë aspak e këndshme.Kujtojmë se predikimet e tjera do të mbahen më 16, 23 e 30 mars.







All the contents on this site are copyrighted ©.