2012-03-09 17:51:22

Papa, Pendestarisë Apostolike: ungjillëzimi i ri fillon edhe nga rrëfyestorja


Sakramenti i Rrëfimit është udhë për ungjillëzimin e ri: ky ishte thelbi i fjalës së Papës, i cili, sot, në Sallën e Palit VI në Vatikan, u takua me pjesëmarrësit e kursit mbi Pendesën e mbi Sakramentet, që lidhen me të, organizuar nga Pendestaria Apostolike. 1.300 të pranishmëve, shoqëruar nga kardinali Manuel Monteiro de Castro, Benedikti XVI u kërkoi t’u propozojnë me guxim Sakramentin e Pajtimit, atyre bashkësive të krishtera, që duket sikur e kanë harruar.RealAudioMP3
Përmes Rrëfimit, mëkatari i penduar e braktis ‘njeriun e vjetër për t’u veshur me njeriun e ri’, duke i dhënë mundësi Hirit Hyjnor të hyjë në zemrën e tij e ta bëjë të aftë për të shpallur sërish Ungjillin. Kthimi i sinqertë i zemrave, shpjegoi Ati i Shenjtë, është motorri i çdo reforme e forcë e vërtetë ungjillëzuese. Si gjatë Rrëfimit, ashtu edhe gjatë shpalljes së Fjalës së Hyjit, meshtari duhet t’i çojë besimtarit Krishtin, përmes të cilit Zoti na tregon mëshirën e vet:
“Në një epokë emergjence edukative, si e jona, në të cilën relativizmi hedh dyshime mbi vetë mundësinë e edukimit të konceptuar si hapa drejt njohjes të së vërtetës, drejt kuptimit më të thellë të realitetit, e, që këndej, drejt marrëdhënieve me atë të Vërtetë, që është Zoti; në një epokë të tillë, pra, të krishterët janë të thirrur ta shpallin fuqishëm mundësinë e takimit të njeriut të sotëm me Jezu Krishtin, në të cilin, Zoti u bë kaq i afërt, sa mund të shihet e të dëgjohet”.
Sakramenti i Pendesës, vazhdoi Papa, na ndihmon t’i kthejmë sytë nga ky Zot e t’i kërkojmë të jetë pjesë e jetës sonë:
“Siguria se Zoti është afër e se, me mëshirën e vet, e pret njeriun, edhe mëkatarin, për ta shëruar nga ligështitë me anën e Hirit të Sakramentit të Pajtimit, është gjithnjë dritë shprese për botën”.
Ata, që rrëfehen, kanë dëshirë të ndryshojnë. Prandaj, Papa u kujtoi meshtarëve se janë protagonistë të fillimit të një jete të re për mëkatarët, që u besojnë shpirtin, duke parë në ta Fytyrën e Krishtit. E u theksoi se risia nuk qëndron në braktisjen, apo harrimin e së kaluarës, por në pranimin e Krishtit, i vetmi, që mund të hedhë dritë edhe mbi skutat më të errta të ndërgjegjes:
“Atëherë, ungjillëzimi i ri fillon edhe nga rrëfyestorja! Fillon nga takimi i mistershëm i pyetjeve pa fund të njeriut – shenjë e Misterit Krijues në të – me Mëshirën e Hyjit – e vetmja përgjigje e përshtatshme, që mund ta shuajë etjen njerëzore për amshim”.
Nëse kremtimi i Sakramentit të Pajtimit do të bëhet kështu, shtoi Benedikti XVI, nëse përmes tij, besimtarët do ta provojnë vërtet Mëshirën e Dashurinë, që na dhuroi Jezusi i Nazaretit, Zot e Krisht, atëherë, ata vetë do të jenë dëshmitarë të besueshëm të asaj shenjtërie, që është qëllimi i ungjillëzimit të ri. E kjo merr vlerë edhe më të madhe për meshtarët, të cilët duhet ta përtërijnë gjithnjë takimin me Krishtin, përmes Pendesës e Rrëfimit. “Kush t’ju takojë – u tha Papa meshtarëve të pranishëm – të mund t’i shpallë gjithë botës se ka takuar Mesinë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.