Sot me 9 mars Kisha përkujtoi Shën Françeskën romake. Shën Françeska Romake, bijë
e një familjeje fisnike, me një shpirt edhe më fisnik, lindi në Romë në vitin e largët
1384. Ndonëse e rrethuar nga pasuria e luksi i familjes, ajo ndjeu që shpejt dëshirën
të hynte në kuvend. Nuk mundi ta realizonte këtë dëshirë, sepse në atë kohë për vajzën
vendoste familja. E martuan, pa e pyetur, e megjithatë, gjë që ndodhte tepër rrallë,
martesa e saj qe e lumtur. Nusja e re, 13 vjeçe, u rrethua me pasuri, dashuri, nderime,
tituj fisnikërie; Zoti e bekoi familjen e e re me tre fëmijë. Po shpejt gëzimet do
të ktheheshin në dhimbje. Françeska humbi njërin pas tjetrit, dy fëmijë. I shoqi u
plagos rëndë gjatë një ndeshjeje ndërmjet antipapës Gjoni XXIII me mbretin e Napolit,
Ladislaun, i cili e pushtoi dy herë Romën. Atëherë ajo e ktheu pallatin në strehë
për të varfrit e vetveten, në nënë, motër e bijë të atyre që s'kishin nënë, motër
as bijë. Për ta zgjeruar më tej veprimtarinë e saj, më 1425 themeloi Kongregatën e
Motrave Oblate Olivetane të Shën Marisë së Re; tri vjet pas vdekjes së bashkëshortit,
bëri kushtet rregulltare e nisi të thirrej Françeska Romake. Ndërroi jetë më 9 mars
1440. Trupi i saj u vendos në kishën e Shën Marisë së Re, e cila më pas mori emrin
e Shën Françeskës. Mbarë Roma qe e pranishme në salikimet e asaj, që e kishte konsideruar
të shenjtë që më të gjallë. Kisha e shpalli shenjte më 1608.