Martesa dhe familja, në qendër të fjalimit të Papës drejtuar ipeshkvijve të SHBA-së.
Mësimi i Kishës mbi familjen e martesën, ishte në qendër të fjalimit të Papës drejtuar
një grupi ipeshkvijsh amerikanë, të cilët i priti sot paradite për vizitë ‘ad Limina’.
Benedikti XVI denoncoi përpjekjen për ta ndryshuar përkufizimin ligjor të martesës. Papa
kërkoi nga ipeshkvijtë punë baritore të qartë e norma të sakta liturgjike për kremtimin
e denjë të martesës, në përkim të plotë me moralin e krishterë. Kujtoi edhe se kohët
e fundit, në këtë drejtim, ka pasur mungesa, sidomos në komunikimin e doktrinës së
Kishës Katolike e cila, në temën e Sakramentit të martesës e të pastërtisë është tepër
qartë. Në fjalimin drejtuar prelatëve amerikanë, Papa u ndalua në mënyrë të veçantë
në disa pika të rëndësishme. Së pari, rikujtoi se Sakramenti i martesës është i pazgjidhshëm
e se ndryshimet seksuale në përkufizimin e martesës, nuk janë aspak të dorës së dytë.
Foli edhe për pasurinë e vizionit të krishterë të seksualitetit njerëzor e të pastërtisë
si dhe për specifikën e bashkimit të njerëzve të sekseve të ndryshme, që plotësojnë
njëri-tjetrin e i hapin udhën krijimit të jetës së re. Papa kujtoi se kjo doktrinë
shprehet nga Magjisteri i pas-Koncilit e pasqyrohet edhe në Katekizmin e Kishës Katolike,
lidhur me lutjet e me katekizmin përkatës. Benedikti XVI foli për krizën e martesës
e të familjes, për rritjen e numrit të njerëzve që bashkëjetojnë e për faktin se kjo
bashkëjetesë praktikohet shpesh nga çifte, që nuk janë aspak të vetëdijshëm për situatën
thellësisht mëkatare, në të cilën jetojnë. Për të mos thënë se një bashkëjtesë e
tillë dëmton rëndë edhe stabilitetin e vetë shoqërisë. Papa denoncoi rrymat kulturore,
që kërkojnë ta ndryshojnë përkufizimin ligjor të martesës, ndërsa vlerësoi lart impenjimin
e ipeshkvijve amerikanë në dioqezat e tyre: përmes famullive, shkollave, organizmave
humanitare, ipeshkvijtë po aktivizojnë, theksoi Ati i Shenjtë, njerëz që u rrinë pranë
çifteve në situata të vështira martesore, posaçërisht njerëzve të divorcuar e të ndarë,
prindërve të pamartuar, nënave të mitura e grave, që janë në rrezik të abortojnë,
pa harruar kurrë fëmijët, që i vuajnë më shumë se kushdo tjetër, pasojat e një familjeje
të shkatërruar.