2012-03-08 14:36:44

Në zemër të Kishës e të botës: reflektim i Flaminia Gjovanelit për Ditën e Gruas.


Kremtohet sot Dita Ndërkombëtare e Gruas, me nisma nga më të ndryshmet, në mbarë botën. E pikërisht njohjes së kontributit të femrës në shoqëri i kushtohet edhe ndjeti i lutjes së Papës për marsin. Po ndalemi, sot, kryesisht, tek sfidat që duhet të përballojë gruaja, posaçërisht gruaja e krishterë, për të cilat flet, në mikrofonin tonë, Flaminia Giovaneli, zevendës-sekretare e Këshillit Papnor të “Drejtësisë e Paqes”:

Përgjigje: - Mendoj se duhet t’i kërkojmë Shpirtit Shenjt, i cili i vë në lëvizje të gjitha sendet, të na tregojë rrugë të reja, që përmes tyre të njihet ndihmesa e gruas në jetën shoqërore. Është e drejtë e njëkohësisht, detyrë, të njihen të drejtat e gruas, të theksohet roli, që luan ditë për ditë në shoqëri. Por dihet, tashmë, se ajo që thonë ligjet, është tepër larg nga mënyra, si zbatohen, sidomos në jetën e përditshme të gruas.

Pyetje: - Ç’mund t’i japë gruaja e krishterë, me gjeninë e vet femërore - shprehje, kjo, e famshme, e Papës Vojtlita - shoqërisë perëndimore e cila shpesh i vlerëson gratë më shumë për bukurinë fizike, sesa për atë shpirtërore?

Përgjigje: - Duke folur për gjeninë femërore, nuk duhet harruar se gruaja ka një mision të veçantë, pikërisht si grua. Sot ky mision shpesh harrohet, kundërshtohet, posaçërisht nga teoria e ‘gender’ (gjinisë), ose vihet në diskutim, madje edhe në mjedise të krishtera, posaçërisht, në ato që kanë vulë feministe. Unë besoj se posaçërisht për këtë, gruaja e krishterë duhet të jetë në plan të parë në zgjidhjen e çështjes antropologjike që, siç na e kujton Ati i Shenjtë në Enciklikën ‘Caritas in Veritate’ – është çështja e sotme sociale. Atëherë unë besoj se gruaja e krishterë e ka për detyrë ta kultivojë këtë ekologji njerëzore – tjetër shprehje e Papës Vojtila, kjo, e cituar, pastaj, edhe nga Benedikti XVI – të kultivojë vizionin korrekt të njeriut, që është një i vetëm, me trup, me mendje, me shpirt; prej këndej, duhet vendosur një ekulibër i drejtë ndërmjet këtyre tre elementeve tek njeriu, duke përfshirë edhe marrëdhëniet burrë-grua. Në kohë krize, gruaja ka një rol të posaçëm në përpjekjen për t’i dhënë fytyrë njerëzore ekonomisë, në atë kuptim që e gjejmë tek Benedikti XVI, në “Caritas in Veritate”, duke rizbuluar përmasën e dhurimit, të ndihmës falas, pa kurrfarë interesi, pa të cilën - thekson Papa - nuk mund të funksionojë as tregu.

Pyetje: - Duke folur për kontributin e grave, mendojmë për ndihmesën e tyre të çmuar në të katër anët e botës, sidomos në Jug të saj. Një reflektim, mbështetur në përvojën tuaj e të dikasterit tuaj?

Përgjigje: - Mendimi natyrisht, të shkon menjëherë tek Çmimet Nobel 2011, që i merituan tri gra; dy afrikane e një jemenite. Kujtoj, në këtë çast, Zonjën e Burundit, Margeritë Barankitse, që meritoi diçka më shumë se çmimi Nobel: epitetin “Engjëll i Burundit”. Kjo grua e jetoi me fund tmerrin e një genocidi të pashembullt e, jo vetëm që nuk u përpoq të hakmerrej, por përkundrazi, kërkoi të vërtetën, dialogun. I ktheu shtëpitë në strehë për dhjetra mijëra fëmijë jetimë lufte, si Tuci, ashtu edhe Hutù. Ajo, që dua të nënvizoj këtu, është aftësia e grave për të mbështetur paqen në mënyrë konkrete, me vepra konkrete.

Pyetje: - Urimi, që i bëni grave për 8 Mars?

Përgjigje: - U uroj grave, të jenë të kënaqura që janë gra e edhe që t’i përdorin aftësitë në shumë fronte njëkohësisht - karakteristikë tjetër femërore, kjo, apo jo? E uroj edhe që ta shikojnë këtë si sfidë, si stimul. Me bindjen se kur e pranon sfidën dhe fiton, ndjen një kënaqësi të jashtëzakonshme.

Pyetje: - “Grua, ji vetvetja!”, i pati bërë thirrje Gjon Pali II gruas, grave…

Përgjigje: - Pikërisht! E jo vetëm. Gjithnjë me këtë rast, dëshiroj t’i këshilloj si gratë, ashtu edhe burrat, ta marrin në dorë një tekst shumë të shkurtër, por edhe shumë të fuqishëm, duke pasur parasysh se këtë vit kremtojmë 50-vjetorin e fillimit të Koncilit II të Vatikanit. Është thirrja e Papës Pali VI drejtuar grave, në përfundim të kësaj ngjarjeje të madhe kishtare. Ndërmjet tjerash, Pali VI u besonte detyrën t’i pajtojnë burrat me jetën, me një shprehje, që mua më duket vërtet e fortë: “Gra, ndaleni dorën e burrit në se, në një çast çmendurie, do të tundohej të shkatërronte qytetërimin njerëzor!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.