Ndihmesa e grave për lulëzimin e krishterimit, sipas Benediktit XVI.
Sot, në sa në mbarë botën kremtohet 8-marsi, po kujtojmë reflektimin e Benediktit
XVI në audiencën e përgjithme të 14 shkurtit 2007 mbi rolin e grave në historinë e
krishterimit. Duke njohur rolin e grave në bashkësitë e para të krishtera, Benedikti
XVI pohon se ato dhanë dëshmi që nuk mund e nuk duhet harruar. Sipas Papës “...
historia e Krishtërimit do të kishte pasur një zhvillim krejt tjetër, në se do të
kishte munguar ndihma fisnike e shumë grave. Prandaj, siç shkruan Gjon Pali II në
letrën apostolike Mulieris dignitatem “Kisha e falënderon Zotin për të gjitha gratë
e për secilën prej tyre.... si dhe për të gjitha shprehjet e gjenisë femërore, që
janë shfaqur në rrjedhë të historisë ndërmjet popujve e kombeve”. I rëndësishëm
qe roli i grave në bashkësitë e para të krishtera gjatë jetës tokësore të Jezusit
dhe të breznisë së parë të të krishterëve. Ndonëse Jezusi zgjodhi si dishepuj më të
afërt dymbëdhjetë burra, ndërmjet dishepujve të tij ka pasur edhe shumë gra “...
që luajtën një rol aktiv në kuadrin e misionit të Krishtit. Në radhë të parë mendja
të shkon menjëherë te Virgjëra Mari, e cila me fenë e saj e me kujdesin e saj amtar,
bashkëpunoi në mënyrë të pashembullt në veprën e shëlbimit tonë”. Por pati
edhe gra të tjera, që kryen detyra të ndryshme rreth Jezusit. Kujtojmë Gjovanën, Suzanën,
motrat Maria e Marta. E pastaj Madalenën, e cila jo vetëm që ishte e pranishme në
mundimet e Krishtit, por qe edhe dëshmitarja si edhe kumtuesja e parë e Ngjalljes
së Zotit, duke luajtur kështu një rol aq të rëndësishëm, sa ta shtyjë Shën Tomën e
Akuinit ta quajë “apostulle e apostujve”. Edhe në mjediset e Kishës të të krishterëve
të parë, prania e grave nuk është aspak e dorës së dytë. Shën Pali Apostull e pranon
si gjë normale që gruaja të profetizojë, dmth të shprehet lirisht nën ndikimin e Shpirtit
Shenjt, në bashkësinë e krishterë. Prandaj mendimi sipas të cilit gratë në asamble
duhet të heshtin, ka vlerë relative. Nga ana tjetër duhet kujtuar edhe se gratë,
ndryshe nga të Dymbëdhjetët, nuk e braktisën Jezusin në orën tragjike të mundimeve
mbi Kryq. Është për t’u kujtuar edhe se Apostulli i Popujve flet për një farë Febe,
grua e përgatitur si diakonos në një nga portet në lindje të Korinthit, shenjë që
tregon se edhe gratë ushtruan detyra me përgjegjësi në shërbim të mbarë bashkësive
të para të krishtera. E këto detyra vijojnë t’i kryejnë në rrjedhë shekujsh deri në
ditët tona ndër Kisha, kuvende, shkolla, spitale e deri në skutat më të thella të
mjerimit, duke i falur botës shembuj e figura të mëdha aktuale, nga të cilat mjafton
të kujtojmë Nënën tonë Terezë.