2012-03-08 10:20:53

Mesazh i Palit VI
drejtuar grave


E tani, po ju drejtohemi ju, gra të çdo shtrese shoqërore, bija, nuse, nëna e vejusha; edhe juve, virgjëra të shuguruara e gra të pamartuara; jeni gjysma e familjes vigane njerëzore.
Kisha, ju e dini, është krenare që e ka lartuar gruan, e ka çliruar dhe ka bërë të shkëlqejë në rrjedhë shekujsh, në përkim me ndryshimet përkatëse, barazinë e saj thelbësore me burrin.
Por vjen koha, e koha erdhi, në të cilën thirrja e gruas përsoset; ora në të cilën gruaja fiton në shoqëri një ndikim, një rrezatim, një pushtetet, që nuk e kishte arritur kurrë deri më sot.
Ju, gra, keni gjithnjë dhantinë e mbrojtjes së vatrës familjare, dashurinë për zanafillën e saj e për vazhdimësinë e saj, për djepat. Jeni të pranishme në misterin e jetës që nis; e të jetës, që shuhet. Teknika jonë rrezikon të bëhet çnjerëzore. Pajtojini burrat me jetën. E, sidomos vigjëloni, ju lutemi, mbi ardhmërinë e species sonë. Ndaleni dorën e burrit në se, në një çast çmendurie, do të tundohej të shkatërronte qytetërimin njerëzor!
Nuse, nëna familjesh, edukatore të para të gjinisë njerëzore në fshehtësinë e vatrave, përçojani bijve e bijave traditat e etërve e, njëkohësisht, përgatitini për të përballuar edhe të papriturat e së ardhmes. Mos harroni se përmes bijve, nëna është e pranishme edhe në atë ardhmëri, të cilën ndoshta nuk do ta shikojë!
Edhe ju, gra të pamartuara, përgjigjiuni si duhet thirrjes e përkushtimit tuaj. Shoqëria ju thërret nga të katër anët. E edhe vetë familja nuk mund të jetojë, pa ato, që nuk kanë familje!
Ju, virgjëra të përkushtuara, sidomos, në një botë ku egoizmi dhe kërkimi i kënaqësisë dëshiron t’ju diktojë ligjin, ruajeni pastërtinë, shpërfilljen, përshpirtërinë. Jezusi, që i dha dashurisë bashkëshortore gjithë përsosurinë e vet, e ka lartuar edhe heqjen dorë nga kjo dashuri njerëzore, kur bëhet për dashurinë e pambaruar e vihet në shërbim të të gjithëve.
Gra, që kaloni çaste të vështira, së fundi, ju që rrini nën kryq, si Maria; ju, që shpesh, në rrjedhë historie u dhatë burrave forcë të luftonin deri në fund të fundit, të dëshmonin, deri në martirizim, ndihmojini përsëri të rigjejnë guximin për punë të mëdha, njëherësh me durimin e kuptimin e pikënisjeve të përvujta.
O ju, gra, që dini ta bëni të vërtetën të ëmbël, të butë, të pranueshme! Përpiquni që shpirti i këtij Koncili të depërtojë në institucione, në shkolla, në vatra, në jetën e përditshme.

Gra të mbarë universit, të krishtera e jo besimtare, që ju është besuar jeta në këtë çast kaq të rëndë të historisë, ju përket juve ta shpëtoni paqen në botë!

Pali VI8 dhjetor 1965







All the contents on this site are copyrighted ©.