2012-03-08 18:38:55

Kujtojmë dom Ndue Bytyçin, në përvjetorin e lindjes


Prifti e poeti shquptar, dom Ndue Bytyçi, lindi më 8 mars 1847, në rrethinën e Shkupit, sipas disa studiuesve; në Kosovë sipas disa të tjerëve. Shumica e studiuesve të veprës së tij janë thuajse një mendje mbi vlerat e veprës së meshtarit poet dhe e konsiderojnë si poet me talent të rrallë.
Ndue Bytyçi është një ndër meshtarët e parë katolikë që i kreu të gjitha studimet në trevat shqiptare: klasike, filozofike e teologjike, në Shqipëri e pikërisht në Kolegjin Saverian të Jezuitëve në Shkodër. Aty u edukua me ndjenja të fuqishme fetare, me dashuri të pakufishme për atdheun e për gjuhën shqipe; me etje për dituri, me prirje për të fituar një horizont sa më të gjerë diturie, me dëshirë për ta flijuar jetën e vet në shërbim të popullit të varfër, në emër të Krishtit.
Prandaj, në Prizren, në Gjakovë e Pejë e vise tjera të Kosovës, ku shërbeu, predikoi pa u lodhur kurrë Ungjillin e jetës, dha mësim në shumë shkolla të dioqezës së Shkupit, shkroi vjersha fetare, atdhetare e shoqërore, iu vu përkthimit të njërit ndër librat më të vështirë të Biblës: “Librit të Psalmeve”, përkthim me vlera letrare e gjuhësore që, për fat të keq, nuk e pa ende dritën e shtypit.
Ndër vjershat e tij fetare, kujtojmë krijime artistike shumë të realizuara që lexohen me kënaqësi edhe sot, si “Mundimet e Jezu Krishtit”, “Vaji i Zojës së Bekueme”, “Atyna”, “Udha e Krygjës” etj.
Ndër krijimet atdhetare vlejnë të përmenden “Memleqetit” (Atdheut), botuar në Shkodër më 1887 dhe vargjet kushtuar Atë Leonardo de Martinos, që në këtë kohë ishte një nga zërat më të njohura poetike: pastaj vjershat “Lugati”e “Kastigimi”, që të kujtojnë bukurinë e poezive të Goethes; “Peshkaxhija” e “Barakxhija”, me motive të theksuara shoqërore e krijime të tjera. Dom Ndue Bytyçi njihet si lëvrues i parë i sonetit apo tingëllimës në letrat shqipe.
Botoi kryesisht ndër revistat e jezuitëve “Lajmëtari i Zemrës së Krishtit” e “Leka”.







All the contents on this site are copyrighted ©.