2012-03-08 10:19:45

Dita ndërkombëtare e gruas, rast për të sensibilizuar opinionin publik lidhur me botën femërore e të drejtat e grave


Sot kremtohet Dita ndërkombëtare e gruas, rast i përvitshëm për të sensibilizuar opinionin publik lidhur me dinjitetin dhe të drejtat e patjetërsueshme të gruas, si dhe për çështjet problematike të botës femërore, për të rikujtuar fitoret e grave të cilat, megjithatë, vijojnë të diskriminohen në botën e madhe.
Siç dihet, ende sot, në shumë vende të botës si në Azi, Afrikë, Lindje të Mesme, Amerikën Latine e tjera, numri i grave që nuk i gëzojnë të drejtat më themelore në familje, në shoqëri, në shtet e hapësira tjera të jetës, të grave “të zhdukura”, të përjashtuara nga e drejta për mbrojtjen shëndetit, për shkollim e të mbytura, para se të lindin, janë tepër shumë. E për dinjitetin dhe të drejtat themelore të grave, mendojnë të gjithë ata, që janë në gjendje ta vlerësojnë si duhet ndihmesën e gruas në zhvillimin e familjes e të shoqërisë dhe që prandaj janë kundër abortit, vrasjes selektive të fëmijëve të palindur, integrimit të vështirë të grave emigrante nëpër botë.
Po cilat janë arsyet që na shtyjnë për ta festuar ditën e sotme e që t’u urojmë grave në këtë festë e për të ardhmen?
Është për t’u festuar sidomos prania e grave në të gjitha mjediset profesionale të jetës publike si dhe roli i tyre vendimtar në institucionet shumëkombëshet e në institucionet e ndryshme shoqërore. Pastaj, edhe fakti që gratë kanë fituar një vetëdije më të thellë se duhet të jenë vetvetja, se duhet të afirmohen, pa e humbur femërinë e tyre e, përtej nivelit ndërkombëtar, vetëdija për aftësitë e tyre në luftën për njohjen e të drejtave të gruas.
E prandaj në këtë Ditë ndërkombëtar kushtuar gruas, urojmë që të zhduket çdo formë e diskriminimit, e dhunës, e shfrytëzimit të gruas në botë. Urojmë që gruaja të jetë në qendër të jetës familjare e të mbrohet, duke u nisur që nga dinjiteti e amësia e saj. Për t’i vënë në jetë këto urime, duhet punuar akoma shumë.
Edhe Papa Benedikti XVI nënvizon vazhdimisht rolin e veçantë dhe kontributin tejet të çmueshëm të gruas në Kishë, në familje e në shoqëri.
Benedikti XVI kërkon posaçërisht ndihmesën e grave në jetën dhe veprimtarinë e familjes e të Kishës, në formimin e fëmijëve, në ruajtjen e vatrës familjare e në kultivimin e vlerave njerëzore e shpirtërore, që është shumë e rëndësishme jo vetëm për bashkësinë kishtare por edhe për mbarë familjen njerëzore. Papa kërkon që grave t’u krijohen sa më shumë vende e hapësira në jetën e në veprimtarinë e Kishës!







All the contents on this site are copyrighted ©.