2012-03-07 16:47:00

Siria pranon planin kinez të paqes, por dërgon tanket në veri


Siria ka ndërmend të bashkëpunojë me OKB-në për lejimin e ndihmave humanitare dhe të pranojë planin gjashtëpikësh të Kinës për t’i dhënë fund gjakderdhjes në vend. Kështu deklaroi ministri i jashtëm, Ualid al Muallim, gjatë konferencës së shtypit, në përfundim të takimit me të dërguarin kinez.
Pas mbledhjes së djeshme për miratimin e një rezolute për Sirinë në OKB, sot ndodhen në Damask e dërguara e Kombeve të Bashkuara për gjendjen humanitare, Valerì Amos, ndërsa të shtunën do të shkojë ish-sekretari i përgjithshëm, Kofi Anan, i cili përfaqëson edhe Lidhjen Arabe. Plani kinez parashikon ndalimin e të gjitha akteve të dhunës, fillimin e dialogut ndërmjet palëve, përkrahjen e impenjimit humanitar, respektimin e sovranitetit sirian, bashkëpunimin me të dërguarin e veçantë të OKB-së dhe sigurinë se anëtarët e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të respektojnë parimet e Kartës së OKB-së.
Ndërkaq, kryengritësit bëjnë të ditur se që nga fillimi i revoltave, në Siri, janë vrarë 8.500 vetë, prej të cilëve 6.195 civilë e 2.263 anëtarë të forcave të sigurisë. Mes këtyre të fundit, 428 ushtarë dezertorë. Gjithashtu, ata denoncojnë se regjimi po përgatitet për sulme të reja. Një karvan me 42 tanke të presidentit Bashar al Asad po shkon drejt provincës së Idlibit, në veri të vendit, ku parashikohet një ofensivë e re e Damaskut kundër rebelëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.