2012-03-06 16:23:57

Kori anglikan i Abacisë së Uestminsterit do të këndojë për herë të parë në Shën Pjetër më 29 qershor


Edhe muzika mund të jetë një gur i rëndësishëm në mozaikun e madh të ekumenizmit. Këtë premton ngjarja e jashtëzakonshme e ditëve të fundit të qershorit, kur, me ftesën e Selisë së Shenjtë, për herë të parë në histori, kori anglikan i Abacisë së Uestminsterit do të këndojë në Bazilikën e Shën Pjetrit. Interpretuesit e famshëm në të gjithë botën do ta shkrijnë artin e tyre polifonik me atë të korit të Kapelës Muzikore Papnore “Sikstina”, drejtuar nga don Masimo Palombela. Të dyja koret do të shoqërojnë me këngë kishtare Meshën e kryesuar nga Papa në Bazilikën e Shën Pjetrit, më 29 qershor, në Solemnitetin e Shën Pjetrit e të Shën Palit dhe kremtimin e Mbrëmësoreve të para të festës, më 28 qershor, në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve.

Vetë Papa, siç njofton një komunikatë për shtyp, ka kërkuar bashkëpunimin ndërmjet këtyre dy realiteteve të artit të muzikës, për të inkurajuar shkëmbimin e përvojës ndërmjet dy traditave liturgjike e kulturore. Benedikti XVI kujton se Abacia e Uestminsterit ka si titull formal atë të “Kishës kolegjiale të Shën Pjetrit”, prandaj është e natyrshme, që koret ta kremtojnë së bashku Pajtorin e tyre.

Tradita romake do të përfaqësohet nga partiturat e dy kompozitorëve të famshëm të muzikës kishtare, si Palestrina e Perosi.

Këngët anglikane në gjuhën angleze, që do të ekzekutohen në fillim dhe në fund të çdo liturgjie, do ta bëjnë dëgjuesin të ndjejë harmonitë e polifonisë së tyre tradicionale. Kori anglikan do të shkojë edhe në Manastirin benedektin të Montekasinos në Itali për të kënduar Mbrëmësoret e Meshën së bashku me murgjërit e vendit ku është varrosur Shën Benedikti.

Gjithashtu do të japë edhe koncerte të tjera si recitali në bazilikën e Shën Marisë së Madhe në Romë e Mbrëmësorja festive në kishën e Shën Marisë mbi Minervë, gjithnjë në kryeqytetin italian.

Papa e ftoi në Romë korin e famshëm anglikan gjatë vizitës në Mbretërinë e Bashkuar, në shtator 2010, kur së bashku me kryeipeshkvin e Kanterburit, Rouan Uiliams u gjunjëzua në lutje para varrit të mbretit Eduard Rrëfyesi. Ndërkaq, para ardhjes së korit anglikan, kori i Kapelës Sikstine do të japë një koncert publik në katedralen katolike të Uestminsterit, në mbrëmjen e 6 majit.







All the contents on this site are copyrighted ©.