Benedikti XVI dhe kryeipeshkvi i Kanterburit, sot së bashku për mijëvjeçarin e Kuvendit
Kamaldoli
Benedikti XVI vizitn sot Manastirin Benediktin të Shën Gregorit në Çelio, në Romë,
me rastin e mijëvjeçarit të themelimit të Fondacionit apo Oshënarisë së Shenjtë të
Kamaldolit nga Shën Romualdi. Për këtë njëjtën vjen në Vatikan edhe kryeipeshkvi anglikan
i Kanterburit, Rouan Uiliams, që u prit sot në mëngjes nga Papa. Ndërsa, në orën 17.30,
Ati i Shenjtë kryeson Lutjet Mbrëmësore në bashkëkremtim me Primatin Anglikan kryeipeshkvin
Uiliams në manastirin benediktin te Çelios, për Festën e Kalimit në amshim të shën
Gregorit të Madh. Kuvendi ka një rëndësi të veçantë edhe për anglezët, pasi aty,
shën Gregori i Madh zgjodhi shën Augustinin dhe 40 murgjërit e tij për të shpallur
Ungjillin në Angli. Takimi i Papës dhe i kryeipeshkvit anglikan është pra, një çast
ekumenik, që do të karakterizohet nga disa gjeste plot domethënie. Në fund të Mbrëmësoreve,
Papa dhe kryeipeshkvi do të shkojnë në Kapelën e Shën Gregorit për ndezur një llambë.
Gjithashtu, do të vendoset edhe një kryq guri kelt, që vjen pikërisht nga Kanterburi,
e ndoshta edhe një ikonë. Përforcohet kështu tradita e gjatë e lidhjeve ndërmjet Bashkimit
Anglikan dhe manastirit kamaldolez romak, që mori hov sidomos pas Koncilit II të Vatikanit.
Nesër, më 11 mars, gjithnjë në kuadrin e kremtimeve, në orën 16.00, do të zhvillohet
një konferencë mbi “Monakizmin dhe Ekumenizmin”. Kryeipeshkvi i Kanterburit, Rouan
Uiliams do të mbajë një kumtesë me titull “Virtytet murgare dhe shpresat ekumenike”.
Dom Robert Hejl, epror i oshënarisë “New Camaldoli” në Kaliforni të SHBA-ve, do të
përgjigjet me një kumtesë të titulluar “Lidhjet që bashkojnë komunitetin murgar të
Shën Gregorit në Çelio me Kanterburin e Bashkimin Anglikan”.