2012-03-05 17:05:39

Putin sërish president i Rusisë, por opozita denoncon manipulime


Vladimir Putin u deklarua zyrtarisht fitimtar i zgjedhjeve presidenciale në Rusi, me 63,75% të votave, në mes të protestave të opozitës e të manifestimeve të përkrahësve të vet, që sot e ndanë Moskën më dysh. Pjesëmarrja në votimet e djeshme arriti në 65,3% të 110 milion zgjedhësve. Putin, i cili ka disa legjislatura, që kalon nga posti i presidentit në atë të kryeministrit, e priti shpalljen e rezultateve me lot në sy, pavarësisht se vëzhguesit e OSBE-së e të Këshillit të Evropës deklaruan hapur se vota është “devijuar” qartas në favor të tij. Parregullsi procedurale në një të tretën e qendrave të votimit, dhunime të ligjit për praninë e kandidatëve në televizion e në gazeta, që penalizuan opozitën, janë karakteristikat e këtyre zgjedhjeve, sipas vëzhguesve ndërkombëtarë.

E ndërsa Kremlini është në festë për mandatin e tretë të Vladimir Putinit, edhe serbët e veriut të Mitrovicës, në Kosovë, organizuan vargane me makina, buri e flamuj rusë e serbë, që mbrëmë mbushën rrugët deri në urën mbi lumin Ibër. Manifestuesit e falenderuan Moskën për përkrahjen e vazhdueshme dhënë Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës. Kujtojmë se presidenti rus është qytetar nderi i Zhubin Potokut dhe i Zveçanit.







All the contents on this site are copyrighted ©.