2012-03-05 08:56:41

Papa simbas vëllait Georg: punëtor i madh, që i do të gjithë. Botohet në SHBA libri-intervistë kushtuar Benediktit XVI


Edhe pse kanë kaluar gati shtatë vjet, që kur Jozefi është Benedikti XVI, për monsinjorin Georg Racinger, Papa mbetet vëllai i miturisë e shoku i seminarit. “E thërras Jozef, natyrisht, do të ishte anormale po ta thërrisja ndryshe”, shpjegon meshtari muzikant bavarez, në librin-intervistë, botuar shtatorin e kaluar në Gjermani e, tani, shtypur edhe në SHBA, nga botuesi amerikan Ignatius Press, me titullin “My Brother the Pope”.
Jozefi i do shumë kafshët – tregon monsinjor Georg, ndoshta prandaj i ndjek me kënaqësi telefilmat policorë, në të cilët rolin kryesor e luan një qen, Rex-i i famshëm. Madje ne të dy, shton vëllai i Papës, e njohim personalisht, prej vitesh, zotin Helmut Brossmann, që e mban dhe e stërvit. Jeton pranë Regensburgut. Kur Jozefi i do kaq shumë qentë e macet, merre me mend sa i do njerëzit. Të gjithë. E jo vetëm njerëzit e pushtetshëm, me të cilët i takon të bisedojë sy për sy shumë shpesh.
Shën Françesku kishte ujkun e Gubios, ne konendoheshim me Rex-in. Ishim mësuar ta shikonim së bashku. Uleshim në divan, mbulonim gjunjtë me një batanije, telekomandën në dorë e … humbisnim në skenat e filmit, duke ndjekur aventurat e komisarit me katër këmbë, më i famshmi në Gjermani.
Humbet në kujtime monsinjori Georg, duke kujtuar familjen aq të bashkuar nga një dashuri e sinqertë e nga një devotshmëri e thellë fetare. Babai, komisar policie, kishte lindur në një familje zejtarësh në Bavarinë e Epërme; edhe nëna, shtëpiake, ishte nga Bavaria e Epërme. Para se të martohej, kishte punuar si kuzhinere.
Hanim së bashku mëngjesin në shtëpi, e pastaj takoheshim përsëri në drekë, vijon të kujtojë vëllai i Papës. Sipas traditës bavareze, në fillim hanim një supë, e pastaj, edhe pjatën e dytë. Vinte, më pas, darka. Gjithnjë bashkë rreth sofrës. Asokohe nuk kishte as radio, as Tv. Mungesën e tyre e zëvendësonte babai i cili, në mbrëmje, i binte kitarrës e këndonte këngë tradicionale. Pastaj, në krevat, ndoshta shumë heret.
Monsinjor Georg tregon edhe një anekdotë gati-gati profetike. “Në vitin 1931 një kardinal erdhi të vizitojë qytezën tonë. Arriti me një limozinë të zezë. Jozefi, që ishte vetëm 4 vjeç, bërtiti: “Një ditë edhe unë do të jem kardinal!”.
Jozef Racinger u bë kardinal e papë, pa qenë kurrë ambicioz. I erdhën vetë nderimet, nuk i kërkoi. E as nuk i pëlqyen kurrë. Papa i ardhshëm ishte tepër delikat që në fëmijëri, të cilën e kaloi në një nga kohët më të vështira për atdheun e tij.
Jashta mureve paqtore të shtëpisë, Gjermania e viteve më të këqija, e kohëve të rinisë hitleriane, që i shkruante të gjithë të rinjtë në listat e veta, dashur pa dashur. Jashtë, armët. Frika. Mungesa e lirisë, tmerri nga pasojat, që mund të kishte çdo sjellje e papeshuar mirë, çdo fjalë e thënë pa e menduar me fund. Pa marrë parasysh ç’mund të na ndodhte, kujton Georg Racinger, ne nuk shkonim kurrë në mbledhje, nuk paraqiteshim në apel. E kjo kishte si pasojë ankthin e përorshëm, pritjen e arrestimit. Babai ynë e konsideronte Hitlerin “antikrisht”. Që në fillim, ishte kundërshtar i rreptë i nacional-socialimit. E kuptoi menjëherë se nazizmi do ta çonte Gjermaninë në greminë. E shikonte jo vetëm si armik të Kishës, por edhe të çdo feje e të vetë jetës njerëzore. E megjithatë, për të mos i hapur familjes rrugën e kampeve të përqendrimit, e këshilloi mamamë të hynte në organizatën e gruas. Kështu e përshkruan Georg babain, duke pikturuar një portret intim, të pa njohur. Monsinjori i përgjigjet dhjetra pyetjeve të gazetarit historian gjerman Michael Hesemann, i cili ndenji me të për disa ditë me radhë.
Prej përgjigjeve, mësojmë shumë hollësira edhe për jetën e përditshme të Papës. Si e kalon ditën, për shembull: “Për Georg Racinger, Jozefi është njeri shumë i ndjeshëm e, prej këndej, vuan shumë nga sulmet që i bëjnë mjetet e komunikimit, por duke e ditur ç’fshihet prapa tyre, natyrisht mundohet t’i përmbajë emocionet. Së fundi, a së pari, im vëlla është punëtor i madh, shton monsinjor Georg, në gjendje të përqendrohet gjithë ditën e lume në punë, pa luajtur fare nga vendi. Punon shpejt e me rezultate të shkëlqyera. Ditën, jo natën".Para çdo audience, tregon monsinjor Georg, Jozefi përgatit argumentet e rastit, ndërsa të marteve, ushtrohet për shqiptimin e përshëndetjeve në audiencat e përgjithshme. Kur i përshëndet besimtarët e thjeshtë, që vijnë ta takojnë me mijëra nga të katër anët e botës, në audiencat e përgjithshme, dëshiron t’i shqiptojë pa asnjë gabim përshëndetjet në gjuhë të ndryshme drejtuar atyre. Kjo, sepse dëshiron që ta kuptojnë të gjithë. Papa i përket të gjithëve e mundohet t’u flasë të gjithëve sadopak në gjuhën e tyre. Ndonëse nuk e ka shumë vështirë, mbasi i njeh mirë disa nga gjuhët kryesore të botës. Filloi t’i studionte që kur ishte fëmijë. Që kur mësonte, lexonte e shkruante së bashku me mua: ai, fjalë, unë, nota. Ishin gjithnjë bashkë dy vëllezërit. Edhe atë ditë të lume të 29 qershorit 1951, kur u shuguruan meshtarë. Që atëherë asgjë nuk ka ndryshuar, Georg e Jozefi vijojnë të kalojnë shumë kohë së bashku. Pushimet e verës, për shembull, gjatë të cilave flasin, bëjnë plane e shikojnë përpara, gjithnjë së bashku. E kur nuk takohen, i telefonojnë njëri-tjetrit, sepse kështu janë mësuar që në vegjëli, të mos e shkëpusin për asnjë ditë lidhjen vëllazërore. Fryt i edukatës që morën nga një familje shumë e bashkuar, e shumë besimtare. Ku u lindi edhe dëshira për t’u bërë meshtarë, dmth për ta shkrirë gjithë jetën në emër të Zotit e të Njeriut.







All the contents on this site are copyrighted ©.