Don Lazër Shantoja, martir e intelektual, në përvjetorin e vrasjes nga komunistët
Si sot, më 5 mars 1945 u pushkatua nga regjimi komunist, martiri i Kishës katolike
shqiptare, dom Lazër Shantoja. Ai u arrestua prej komunistëve “çlirimtarëve” të Shqipërisë
pak më shumë se dy muaj më parë se të vritej. Në ata dy muaj kishte pësoi torturat
më çnjerëzore që mund të merreshin me mënd. Trupi i gjymtuar, me gjymtyrët të sharruara,
atë ditë marsi u hodh në një gropë pa emër, së bashku me atë të Sulçe Beg Bushatit. Kështu
mbyllej qarku i jetës së dom Lazër Shantojës, njërit prej eruditëve më të spikatur
të botës shqiptare, personaliteti i të cilit shquhej në shumë fusha të fesë, të kombit
e të artit të letrave, duke dhënë një ndihmesë vërtetë të fuqishme në jetën kulturore
të popullit shqiptar. Dom Lazër Shantoja, meshtar, atdhetar, njëri nga stilistët
më të spikatur të letrave shqipe, mbet i panjohur e i mbuluar me baltë, deri ditën
kur emri i tij, i masakruar, ashtu si trupi i tij, me këmbë e krahë të sharruara me
sharrë druri, u riduk plot shkëlqim në listën e martirëve të diktaturës komuniste
në Shqipëri, ndërmjet emrave të 40-tëve, çështja e kanonizimit Kishtar të të cilëve
tashmë ka kaluar pranë Vatikanit. Dom Lazër Shantoja lindi më 2 shtator 1892, u
pushkatua më 5 mars 1945. La pas gjurmë të pashlyeshme feje e kulture kudo jetoi e
punoi: që nga Austria, ku kreu studimet, në Shkodër, ku shërbeu si sekretar i kryeipeshkvit,
në fshatrat e Veriut, ku shërbeu si prift famullitar e në Zvicër, pas ikjes nga Shqipëria
si antizogist, ku kreu të njëjtin mision, për t’u kthyer në Shqipëri e pikërisht në
Tiranë, ku i vunë prangat e martirizimit. Dom Lazër Shantoja la një numër të madh
veprash, të cilat janë mbledhur me zell e përkushtim nga Arben Ndreca në dy vëllime
me qindra faqe, që përmbledhin jo vetëm veprat e njohura, si “Për natë kazanash”;
përkthimet e “Faustit” dhe “Hermani e Doroteja” të Gëtes e “Vilhelm Telit” të Shilerit,
por edhe shkrimet e tij të shumta, shpërndarë ndër gazeta e revista të kohës, si “Leka”;
“Cirka”; “Zani i Shëna Ndout” e sidomos tek “Ora e maleve”, ku bashkëpunoi ngusht
me Atë Harapin, Atë Fishtën e Luigj Gurakuqin. Në fjalimin mbajtur mbi varr të
Avi Rustemi, vrarë nga Zogu, dom Lazri, pa e ditur se priste një fund edhe më tragjik,
pati thënë mes tjerash: “...gjaku i martirëve asht ai qi shëlbon kombet!..E sot po
i përsërisim, në kujtim të tij, këto fjalë, që i shkojnë aq shumë për shtat e të cilit
i jemi mirënjohës për punën, guximin, qëndresën e dëshminë që dha për Fe e Atdhe.