2012-03-05 17:05:05

Akoma dhunë në Siri. 2000 vetë ikin në Liban


Në Siri, vazhdon masakrimi i opozitës nga regjimi i presidentit Bashar al Asad. Gjatë orëve të fundit, vetëm në qytetin e Homsit, janë vrarë 45 vetë. Luftime të ashpra po zhvillohen, që nga nata e djeshme, edhe në Dara’a, qytet në kufi me Jordaninë. E pas bombardimeve të paradites së sotme, rreth 2000 vetë u larguan në panik nga Qseir drejt Libanit.
Ndërkaq, shumëfishohen përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje të problemit sirian. Nesër, do të shkojë në Damask ish-ambasadori kinez, i cili do të paraqesë një propozim gjashtë pikësh për paqen, që parashikon ndalimin e dhunës dhe fillimin e një dialogu “pa kushtëzime” ndërmjet palëve. Më 10 mars, ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov do të takojë në Kajro, përfaqësuesit e Lidhjes Arabe, ndërsa të nesërmen, më 11 mars, i dërguari i veçantë i OKB-së dhe i Lidhjes Arabe, ish-sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan do të takojë autoritetet siriane në Damask.







All the contents on this site are copyrighted ©.