2012-03-04 18:03:59

Përfunduan Ushtrimet shpirtërore në Vatikan. Atë Lombardi: heshtja na ndihmon të kuptojmë atë, që ka më shumë rëndësi.


Përfunduan dje, me Lutjet e mëngjesit, Ushtrimet shpirtërore të Kreshmëve në Vatikan. Autori i meditimit, kardinali Laurent Monsengwo Pasinya, kryeipeshkëv i Kinshasës, u propozoi Benediktit XVI dhe anëtarëve të Kuries Romake, mbledhur në Kapelën e Nënës së Shëlbuesit të Pallatit Apostolik, reflektime mbi lidhjen e ngushtë të dashurisë së krishterë me fenë. Rolit të këtyre ushtrimeve të shpirtit, që jetuan këto ditë Papa dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, drejtori ynë i përgjithshëm, atë Federiko Lombardi, i kushton editorialin për Octava Dies, e Përjavshme informative e Qendrës Televizive të Vatikanit. Titullohet: “Sa më shumë fjalë, aq më shumë heshtje”.RealAudioMP3

“Besnik i një tradite, që vijon tashmë prej vitesh, Papa ia kushtoi javën e parë të Kreshmëve ushtrimeve shpirtërore, i shoqëruar nga shumë prej bashkëpunëtorëve të tij. S’ishin takime, as fjalime, por heshtje e lutje. Natyrisht besimtari përpiqet të gjejë çdo ditë kohë e çaste për të heshtur e për t’u lutur, por kjo ndalesë kreshmore, më e gjatë se ndalesa e zakonshme, flet për një nevojë më të thellë e bëhet edhe për ne, shenjë e shembull më i fortë.
Në mesazhin e kohëve të fundit për ditën e Komunikimeve shoqërore “Heshtja e Fjala”, Papa vuri me forcë në dukje se heshtja i hap rrugën dëgjimit; dëgjimit të tjerëve e dëgjimit të Zotit, parakusht i një komunikimi të denjë për këtë emër, me të tjerët e me Zotin. E pastaj: ‘Atje ku mesazhet dhe informacioni janë të begata – shton Benedikti XVI – heshtja bëhet themelore, për të dalluar atë, që është e nevojshme, nga ajo që është e panevojshme ose plotësuese’.Rreziku që grumbullimi i mesazheve të jetë i tillë, sa të na sundojë e të na burgosë, është kërcënues, e nga që vjen gjithnjë duke u rritur, vështirë ta kontrollojmë, duke rendur pa frymë pas shumëllojshmërisë pa fund të tyre. Është më e dobishme të aftësohemi për një heshtje të vërtetë, në të cilën mund të dëgjohen edhe mesazhet më të thella ose të dallohet prania e tyre, ndërmjet të tjerave e të nisesh prej këtu për të vënë rregull në jetën vetjake, në mes të dyndjes së fjalëve, gjë që sot është një përmasë joshëse, por edhe dramatike, në kushtet e jetës sonë. Si për shembull, të nisesh nga Jezu Krishti, i vdekur e i ngjallur për ne, dritë në udhën tonë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.