2012-03-04 18:06:13

Nga Kisha në Botë


U kremtua sot Dita e sensibilizimit për vlerën e së Dielës, si ditë, në cilën nuk duhet punuar, organizuar nga Besëlidhja Evropiane për të Dielën, koordinim i disa lëvizjeve, në të cilat bën pjesë edhe Episkopati i Bashkësive Evropiane. Kjo Besëlidhje (European Sunday Alliance), u krijua, një vit më parë, për të mbrojtur të dielën, si ditë në të cilën nuk punohet, në mbarë Evropën, gjë që vë në plan të parë njeriun, jo ekonominë e konsumizmin. Është ditë, në të cilën njerëzit duhet të prehen në gjirin e familjeve, të merren me veprimtari kulturore e shoqërore, të shkojnë në Meshë, në se janë besimtarë, të luajnë, të shëtisin, të praktikojnë sportet, që u pëlqejnë. E diela është e duhet të jetë, ditë pushimi, sepse njeriu, sa ka nevojë për punë, aq ka nevojë edhe për përtëritje fizike e shpirtërore. E duhet të jetë ditë pushimi për të gjithë. Përndryshe, në se ditët e pushimit janë të ndryshme, njerëzit nuk do të të takohen kurrë, nuk do të ulen kurrë rreth tryzës së përbashkët, nuk do të mblidhen kurrë për të shkëmbyer dy fjalë miqësore, në paqen e ditës së prehjes. Do të jenë gjithnjë për ngut. Gjithnjë në rendje të ethshme! Prej këndej u themlua kjo Besëlidhje, me të cilën u bashkuan të gjithë kryetarët e bashkive të Evropës. Pa kujtuar këtu Kishat, që e kanë mbrojtur gjithnjë të dielen, si ditë të shenjtë, Ditë të Zotit!
Kujtojmë se edhe ai i Lumi, që s’di ç’është lodhja, kur krijoi rruzullimin, pushoi në të shtatën Ditë! Të dielen. Po njeriu që lodhet e këputet gjithë javën? S’ paska të drejtë të çlodhet një ditë, së bashku me të dashurit e vet? T’i themi, prandaj ‘jo’ punës, ditën e diele.

Trier: Ati i Shenjtë emëroi kardinalin Mark Oje, prefekt i Kongregatës për Ipeshkvijtë, të dërguar të posaçëm në kremtimet për hapjen e shtegtimit të “Petkut të shenjtë”, në 500-vjetorin e ekspozimit të tij publik, në katedralen e Trierit (RF Gjermane), më 13 prill 2012.
“Petku i Shenjtë”, në gjuhën gjermane “Der Heilege Rock”, është relike, që ruhet në katedralen e Trier: një copë pëlhure e cila, sipas përshpirtërisë popullore, u shkëput nga petku i Krishtit para kryqëzimit. Përshpirtëria popullore e nderon si petkun, mbi të cilin, sipas Ungjillit të Shën Gjonit, hodhën shortin ushtarët romakë, të caktuar për të ruajtur vendin ku do të ngrihej kryqi.

Romë: Sot, me rastin e 30-vjetorit të njohjes papnore të vëllazërisë “Bashkim e Vëllazërim” si dhe në 7 vjetorin e vdekjes së don Luigji Gjuzanit, u kremtua një Meshë, në Elterin e Katredrës të Bazilikës së Shën Pjetrit, në Vatikan. Kremtimin e kryesoi sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone.

Spanjë: U kremtua Dita hispano-amerikane, organizuar nga Vepra e bashkëpunimit meshtarak hispano-amerikan. Është bërë traditë tashmë që kjo Ditë kremtohet në të dielën e parë të marsit ndër të gjitha dioqezat spanjolle, për ta mbajtur gjallë impenjimin misionar të Kishës në Spanjë, në ndihmë të Kishave motra të Amerikës Latine.

Brazil: Filloi sot, në kryedioqezën e Rio-de-Zhanéjros, fushata për mikpritjen e shtegtarëve, që do të jenë të pranishëm në Ditën Botërore të Rinisë (DBR) të 2013-tës (23-28 korrik).

Maltë: Është ishulli i Maltës, ai që e ndezi sivjet Pishtarin tradicional benediktin, simbol i paqes, shpresës e vëllazërisë, me dorën e kryeipeshkvit të Maltës, imzot Paul Kremona, gjatë një Meshe solemne në konkatedralen e Shën Gjonit, në la Valleta. Të pranishëm edhe murgjër të abacive benediktine të Montekasinos e të Norçies, vendlindje e Shën Benediktit. Pishtari do të shtegtojë për në Romë ku, të mërkurën, më 14 mars, do të bekohet nga Benedikti XVI, gjatë audiencës së përgjithshme, për t’u rikthyer pastaj, më 20 mars, në Montekasino.







All the contents on this site are copyrighted ©.