2012-03-04 18:03:15

Më 4 mars kalendari përkujton shën Kazimirin.


Princi Kazimir, i mbiquajtur nga bashkatdhetarët ‘njeri i paqes’, lindi në Krakovi, më 3 tetor 1458. Ishte i treti nga trembëdhjetë fëmijët e Kazimirit IV, nga dinastia Jagelloni, me origjinë lituane, mbret i Polonisë dhe i Elizabetës të Austrisë, bijë e perandorit Alberti II. Martesa e dy kokëve të kurorëzuara, që pati si shkues Gjonin Dlugosh, historian e kanonik i Krakovisë, jo vetëm qe bashkim i lum dhe i frytshëm, por edhe vërtet i shenjtë. Pikërisht Gjonit iu besua edukimi i Kazimirit, që në moshën nëntë vjeçare.
S’i kishte mbushur ende 15 vjetët, kur i ati e ftoi t’i printe ushtrisë kundër mbretit hungarez, Matia Korvino. Po ai nuk pranoi ta çonte ekspeditën deri në fund. Për ndëshkim, u mbyll tre muaj në kështjellën Dobski. Pavarësisht nga kërkesat e të atit e të bujarëve, ai nuk pranoi kurrë më të rrokte armët.
Nuk deshi kurorë, as fron. I pëlqente më shumë të ndihmonte të varfërit, të shtypurit, shtegtarët e të burgosutit. Deri një ditë, kur ua fali atyre të gjitha pasuritë, duke fituar, kështu, lirinë e plotë. Nisi ta kalonte shumicën e kohës në Kishë, ku lutej e merrte pjesë në kremtimet liturgjike, duke harruar shpesh edhe të hante. E edhe natën zgjohej e shkonte të lutej në pragun e dyerve të mbyllura të kishave. Plot devoçmëri për Zojën e Bekuar, i sjellshëm e i butë me të gjithë, qe kundërshtar i rreptë vetëm i skizmatikëve. Askush nuk mundi ta bindte të merrte për grua të bijën e Shën Ferdinandit III të Kastiljes, me të cilën e kishin fejuar. E si të martohej, kur e kishte mendjen vetëm e vetëm tek Krishti e tek vdekja e afërme, që do ta çonte në banesën e Zotit për amshim? Kazimiri vdiq nga turberkulozi, në Grodno, më 4 mars 1484, në moshën 26 vjeçare. Reliket e tij u varrosën në katedralen e Vilnius, ku vijojnë të nderohen edhe sot.
Më 1521 Papa Leoni X e shpalli Pajtor të Polonisë e të Lituanisë, ndërsa Shenjt u shpall nën Klementin VIII, në vitin 1621, pasi, me ndërmjetësinë e tij, ndodhën shumë mrekulli.Simbol i pastrisë, është ndërmjetës i fuqishëm kundër tundimeve të mishit e të gjakut.







All the contents on this site are copyrighted ©.