2012-03-02 16:48:31

Puna dhe vlerat fetare: Flaminia Giovaneli për kontributin e Krishtërimit.


Këto ditë pa dritën e shtypit një botim i ri, kushtuar lidhjes së punës me fenë, titulluar “Përkimi i interesave: puna dinjitoze, drejtësia shoqërore e tradita fetare”. Për të na folur për temën tejet të rëndësishme të punës, bazë e padiskutueshme e vetë jetës, si dhe vendin që zë në traditën e krishterë, intervistuam Flaminia Giovanelin, zëvendës-sekretare e Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes:Përgjigje: - Katolicizmi e shikon punën si veprimtari themelore për jetën dhe për vetë realizimin e njeriut e të bashkësisë. Është temë klasike e doktrinës shoqërore të Kishës. Mjafton të mendosh për mësimet shoqërore të papëve, për enciklikat, që mund t’i quajmë me plot gojën ‘moderne’, si dhe për dokumente të ndryshme papnore, që i kushtohen. Trajtimi i kësaj teme e ka zanafillën e vet tek Leoni XIII, i cili i kushtoi vëmendje të dorës së parë kushteve dramatike të jetës së punëtorëve, në fund të tetëqindes. Pastaj duhet kujtuar Gjon Pali II. Papa Vojtila e provoi mbi lëkurën e vet punën e rëndë të krahut, gjë që e kujtonte shpesh, e i kushtoi enciklikën “Laborem Exercens”, në të cilën e quajti punën ‘kyç’ për zgjidhjen e problemit shoqëror. E gjithë kjo, për të kujtuar se ndihmesa a katolicizmit lidhur me këtë temë vërtetë kyçe, është jashtëzakonisht e pasur. Sipas mendimit të krishterë, puna duhet parë si bashkëpunim i njeriut në veprën krijuese të Zotit. E këtë mund ta themi pa asnjë ngurrim. Mjafton të kujtojmë Zotin tonë të mishëruar në Jezu Krishtin, që e fitoi bukën me djersë të ballit, duke punuar si zdrukthëtar në punishten e Shën Jozefit.

Pyetje: - E Shkrimi Shenjt, ç’thotë për këtë temë kaq të rëndësishme?

Përgjigje: - Sigurisht edhe në Shkrimin Shenjt gjejmë një pasuri të vërtetë mendimi për temën e punës. Mjafton të kujtojmë se Jezusi i zgjodhi të gjithë Apostujt nga radhët e punëtorëve të thjeshtë: ishin pothuajse të gjithë peshkatarë, që i lanë menjëherë rrjetat, për të ndjekur Mësuesin. I braktisën, por për t’i kapur përsëri, pa lënë pas dore shoqërimin e Zotit. E këtë e shikojmë qartë pas Ngjalljes. Jezusi i gjeti pikërisht duke peshkuar. Pastaj vjen Shën Pali, që pohoi me forcë se është nder të punosh me duart tuaja e të jetosh, pa iu rënduar askujt. Janë tejet aktuale fjalët e Apostullit të Popujve : “Puna është nder” e “Kush nuk punon, nuk duhet as të hajë”.

Pyetje: - Ç’mund të na thoni për impenjimin e Kishës Katolike, sot, në një periudhë kur punësimi është një nga problemet më urgjente, që duhet të zgjidhet në nivel botëror?

Përgjigje: - Natyrisht, Kisha e kujton rëndësinë e punës duke e parë si realizim i vetë njeriut, si mjet, që i jep identitet. E këtë e kujton shumë shpesh. Mjafton të përmendim Enciklikën “Caritas in Veritate”. Pastaj duhen kujtuar edhe ipeshkvijtë, shumë pranë punëtorëve, në çaste kur vendet e punës janë në rrezik. E gjithë Kisha e ka në qendër të vëmendjes këtë problem. Dhe përpiqet ta zgjidhë jo me fjalë, por me vepra, me projekte konkrete nga më të ndryshmet. Sidomos në këtë kohë krize. Kujtoj edhe se Këshilli Papnor i Drejtësisë e Paqes, më 2011, organizoi një takim të madh mbi Enciklikën e Gjonit XXIII ‘Mater et Magistra’. Dita e tretë iu kushtua nismave të ndryshme, që po ndërrmerren në të pesë kontinentet, sipas parimeve të doktrinës shoqërore të Kishës. U realizua, kështu një panoramë jashtëzakonisht e pasur nismash, që i kanë hapur rrugën e punësimit të një mori njerëzish: nisma me karakter formimi e promovimi për punë, me shembuj konkretë bashkëpunimi ndërmjet besimtarëve, larg çdo prirjeje për përftim vetjak. Solidariteti e ndarja e përbashkët e punës dhe e fitimeve, janë tipari themelor i mësimeve të Kishës për punën.







All the contents on this site are copyrighted ©.