2012-03-02 16:28:30

Berisha: Skënderbeu, burim i përjetshëm frymëzimi


Shqipëria përkujtoi sot 568 vjetorin e Kuvendin e Lezhës të vitit 1444. Ceremonia festive u mbajt pikërisht në Lezhë, ku në shenjë simbolike është ngritur edhe flamuri kombëtar si dhe është ndezur edhe Flakadan-i i Jubileut. Në këtë ceremoni ka qenë të pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, i cili tha se “Sot ne nderojmë shpirtin e bashkimit kombëtar, 568 vjet më parë në këtë qytet lindi parimi i përjetësisë së shqiptarëve, i bashkimit të tyre “Një komb një qëndrim”.
“Ne sot nderojmë Kuvendin e Lezhës të cilët shqiptarët do ta titullonin më pas si “Besëlidhja e Lezhës”, akt në të cilin burrat e këtij vendi vendosën të përballen me superfuqinë e kohës dhe të qëndrojnë të pamposhtur duke u bërë burim frymëzimi për popujt e tjerë të Evropës dhe të botës”, vijoi më tej ai.
Sipas kryeministrit të Shqipërisë dr. Sali Berisha, shqiptarët sot nderojnë veprën e princit legjendar Skënderbeut, pasi ata kanë tek ai burimin e përjetshëm të frymëzimit dhe trimërisë së tyre.
Në ceremoni morën pjesë edhe kryeparlamentarja e Shqipërisë Jozefina Topalli, kreu i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Xhavit Haliti dhe zv.kryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi dhe kreu I PDSH-së në Maqedoni Menduh Thaçi.
Tre ditë më parë, Aleanca Kuq e Zi kërkoi leje për organizimin e një tubimi festiv pikërisht sot në Lezhë. Por autoritetet vendore dhe policia e qytetit e refuzuan kërkesën e Aleancës Kuqezi, e cila akuzoi direkt kryeministrin.







All the contents on this site are copyrighted ©.