2012-03-01 11:27:27

Shqipëria përgatitet për presidencën e radhës të Këshillit të Evropës


"Shqipëria po përgatitet për marrjen e presidencës së radhës së Këshillit të Evropës në maj, ndërsa Këshilli i Evropës e mirëpret këtë moment", u shpreh dje zv/kryeministri dhe ministri i punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, pas një takimi me Gérard Stoudmann, Përfaqësues i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, i ngarkuar me Zhvillimin Organizativ dhe Reformën e Këshillit të Evropës.
Qëllimi i takimit ishte shkëmbimi i mendimeve rreth prioriteteve të kryesisë shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, si dhe rreth programeve të bashkëpunimit me zyrën e Këshillit të Evropës në Tiranë.
Ministri shqiptar Haxhinasto vlerësoi se me marrjen e kësaj presidence, Shqipëria do të angazhohet plotësisht për të dhënë një kontribut konkret në veprimtarinë e organizatës, në realizimin e objektivave dhe të prioriteteve themelore të saj.
Në vijim, ministri i Jashtëm i Shqipërisë vuri theksin në rëndësinë që do t'i kushtojë presidenca shqiptare dimensionit rajonal të integrimit me fokus të veçantë, pjesëmarrjen e Kosovës në takimet rajonale, në vijim të marrëveshjes së fundit të arritur në Bruksel.
Ministri Haxhinasto bëri me dije se në qendër të takimit me zyrtarin e lartë të Këshillit të Evropës ishte situata politike në vend dhe hapat që duhet të ndërmarrë vendi në plotësimin e rekomandimeve të Evropës për kapjen e trenit të radhës për BE.
Zoti Gérard Stoudmann nga ana e tij u shpreh se Këshilli i Evropës mirëpret marrjen e presidencës së radhës nga ana e Shqipërisë, duke e cilësuar si moment kyç për vendin.
"Këshilli i Evropës mirëpret presidencën e ardhshme të Shqipërisë. Kjo është e rëndësishme jo vetëm se është hera e parë që merrni presidencën, por sepse kjo vjen në një moment kyç për vendin. Prandaj nëse çdo gjë shkon mirë kjo do jetë një situatë me përfitim për të gjitha palët", u shpreh Stoudmann.
Zyrtari i lartë i KiE shprehu mbështetjen dhe gatishmërinë e Këshillit të Evropës për të asistuar dhe kontribuar në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.







All the contents on this site are copyrighted ©.