Më 1 mars kalendari Kishtar përkujton shën Albinin, ipeshkëv.
Nga 13 shenjtërit me emrin Albin, prej të cilëve 8 ipeshkvij, më 1 mars përkujtohen
tre: një martir legjendar anglez dhe ipeshkvijtë e Anzherit e Vercellit. Shën Albini
francez, i lindur në vitin 496, ndërroi jetë më 1 mars 550. Ndërsa Shën Albini,
pasardhës i Shën Euzebit, themeluesit të dioqezës së Vercellit, u shugurua ipeshkëv
në vitin 452, në një periudhë historike shumë të turbullt, në sa fiset barbare të
hunëve e të gotëve dyndeshin si rrebesh mbi Italinë. Ipeshkvi i ri ndërtoi kishën
metropolitane përmbi rrënojat e bazilikës së vogël, ngritur nga Shën Euzebi mbi reliket
e Shën Teofrastit. Për të shuguruar Kishën e re, ftoi Shën Gjermanin, i cili vdiq
në udhëtim e sipër. Kështu në bazilikën e Vercellit, në vend të Ipeshkvit të gjallë,
arriti trupi i tij i vdekur. Sapo ky trup u vendos në mes të bazilikës - sipas rrëfimit
të traditës - të gjithë qirinjtë u ndezën vetvetiu, në sa më parë çdo përpjekje për
t'i ndezur kishte qenë e kotë. Kjo dritë u interpretua si mbajtje e premtimit që Shën
Gjermani i kishte bërë Shën Albinit për të shuguruar Kishën. Për shën shën Albinin
dimë edhe se kulti i tij është shumë i lashtë.