2012-03-01 12:05:33

Imzot Mirdita: dom Nikollë Kaçorri qëndron në themelet e Shtetit shqiptar


Në muajin shkurt të vitit 2011, me rastin e kthimit të eshtrave të priftit e atdhetarit shqiptar dom Nikollë Kaçorrit, në Kishën e shën Luçisë në Durrës në vendlindje, u kremtua Mesha e dritës, udhëhequr nga kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit imzot Rrok Mirdita.
Në homelinë e kësaj Meshe, imzot Rrok Mirdita e kujtoi gjigantin e fesë e të kombit, imzot Nikollë Kaçorrin, duke nënvizuar kontributin e tij për Fe e Atdhè si prift dhe si nënkryetar i Qeverisë së Vlorës. Ja homelia që imzot Rrok Mirdita shqiptoi me atë rast kushtuar njeriut të flamurit, projektuesit të pavarësisë së Shqipërisë, dom Nikollë Kaçorrit.
Homelia mbajtur nga imzot Rrok Mirdita ne Durres
Mbi lumenjtë e Babilonisë,
Atje rrinim e vajtonim,
E nëpër mend shkonim Sionin.
Atje, shpërngulësit tanë na kërkonin këngë:
“Na këndoni këngët e Sionit!”
Po si mund t’i këndojmë
këngët e Zotit në dhe të huaj?
Të nderuar Zonja dhe zotërinj,
Të dashur vëllezër e motra,
Psalmi 137 përshkruan me nota melankolie të thellë gjendjen e hebrenjve larg tokës së tyre të pushtuar e të shkretuar nga babilonezët para 2500 vjetësh. “Si mund t’i këndojmë këngët e Zotit në dhe të huaj?”, thotë psalmisti. Historia biblike e shpërnguljes së hebrenjve është paradigmë e një populli që kërkon një atdhe ku të jetë i lirë, sepse vetëm në liri mund të këndohen këngët e Zotit.
Sot kemi para nesh mbetjet mortore të një burri të madh të kombit tonë, që gjatë tërë jetës ka kërkuar një atdhe të lirë dhe ka vdekur tokë të huaj. Imzot Nikollë Kaçorri qëndron në themelet e shtetit shqiptar në të gjitha kuptimet e fjalës themel. Së pari, sepse ka pasur bindjen e thellë se shqiptarët nuk mund të prisnin më për t’u çliruar nga sundimi i gjatë osman, dhe kjo bindje e ka shtyrë të angazhohet për të përgatitur mendërisht, kulturalisht dhe politikisht popullin shqiptar për shpalljen e pavarësisë. Së dyti, sepse priti në Durrës delegacionin që ishte nisur nga Trieste për të shpallur “Shqipninë e mos varme” dhe, pasi u vu re se shpallja e pavarësisë në Durrës vihej në rrezik për shkak të pasigurisë së atij qyteti të kërcënuar nga pretendimet serbe dhe greke, bëri të mundur sigurinë e udhëtimit të këtij delegacioni drejt Vlorës. Së treti, sepse në Vlorë jo vetëm se hodhi firmën përkrah Ismail Qemalit dhe ishte ndër pesë personat që valëvitën për herë të parë flamurin e Shqipërisë së pavarur, por u bë edhe zëvendëskryeministri i parë i shtetit të ri shqiptar. Ai qëndron në themelet e shtetit shqiptar jo vetëm sepse është njëri ndër gurët e mëdhenj të këtij themeli, por sepse më shumë se të gjithë protagonistët e tjerë ka mbetur i fshehur dhe i mbuluar me heshtje nga historia shqiptare si gjatë periudhës komuniste, ashtu edhe gjatë këtyre njëzet vjetëve. Themelet janë të padukshme për vetë funksionin e tyre të mbajtjes së godinës që mbështet mbi të, por, nëse njerëzit që banojnë në atë godinë lejojnë të përjashtohen nga themelet gurë të tillë të mëdhenj, rrezikojnë të banojnë në një godinë të lëkundshme. Përballë kthimit në Shqipëri të eshtrave të Imzot Nikollë Kaçorrit, më lind vetvetishëm dhe fuqishëm dëshira dhe urimi që në Shqipëri të fillojë të bëhet me vërtetësi, dashuri dhe korrektesë shkencore hetimi i historisë sonë të hershme dhe të vonë, me motivin e vetëm, që kujtesa historike kombëtare të bëhet një thesar i çmueshëm nga i cili të mund të nxjerrim mësime për të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë. Njohja e turbullt e historisë së shkuar, pa llogaritur pastaj shtrembërimin me apo pa dashje të saj, rëndon si një perde e errët në horizontin e shpirtit të kombit, prandaj është detyrë jo vetëm e historianëve, por e çdo shqiptari, të japë ndihmesën e vet për ta shthurur fije për fije këtë perde.
Këtë ndihmesë e kanë dhënë të gjithë ata që janë kujdesur për kthimin në atdhe të eshtrave të Imzot Kaçorrit, prandaj atyre u drejtoj me gëzim dhe kënaqësi mirënjohjen time më të thellë.
Le të kthehemi edhe një herë tek psalmisti i sotëm. “Si t’i këndojmë këngët e Hyjit në tokë të huaj?” Përvoja e tokës së huaj ka qenë përvoja e gati gjithë jetës së Imzot Kaçorrit. Ai lindi në një fshat të Lurës në atë periudhë të historisë kur toka e shqiptarëve ishte si të ishte e huaj, sepse gjendej nën zotërimin e Portës së Lartë të Stambollit. Pas studimeve teologjike bazë në Shkodër, që do ta përgatisnin për meshtari, njohu të tjera toka të huaja, sepse kaloi disa vite studimi në Zvicër, për t’u kthyer në Shqipëri me prerjen mendore të njeriut evropian, për t’iu kushtuar bashkësive katolike të kurbinit dhe të Durrësit. Përkushtimi baritor përfshinte realitetin njerëzor në tërë përmasat e tij, prandaj famullitari i Durrësit jo vetëm që nuk la pas dore lëngatën në të cilën gjendej popullsia shqiptare nën sundimin turk, por u vendos në krye të lëvizjes për pavarësi. Pas shpalljes së pavarësisë, gëzoi vetëm për dy vjet shijen aq të dëshiruar të tokës së vet, sepse barbaria e lëvizjes së Haxhi Qamilit jo vetëm që e rrëzoi qeverinë ku ai ishte zëvendëskryeministër, por i dogji shtëpinë në Durrës, duke kthyer në pluhur e hi njërën ndër bibliotekat më të pasura të Shqipërisë së asaj kohe, që ai kishte mbledhur me pasion. Pas rrëzimit të qeverisë së Ismali Qemalit, largohet nga Shqipëria për në Austri dhe atje vdes pas pesë vjetësh, për t’u lënë në harresë.
Harresa, megjithatë, nuk rëndon mbi të, por mi historinë tonë.
Nëse Psalmisti nuk i këndonte dot këngët e Zotit mbi lumenjtë e Babilonisë, sepse e digjte malli për Jerusalemin, sikurse malli digjte edhe Imzot Kaçorrin për Shqipërinë kur gjendej pranë brigjeve të lumit Danub në Vjenë, famullitari i Durrësit mund t’i këndonte këngët e Zotit edhe në dhe të huaj, sepse kishte bërë gjithçka që kishte qenë e mundur për dheun e vet.
Në Ungjillin e sotëm kemi dëgjuar tregimin e takimit të Jezusit me farisenjtë, që duan të dinë prej tij a duhet t’i paguhet taksa Çezarit apo jo. Para se të japë përgjigjen, Jezusi kërkon një monedhë dhe, duke parë mbi të shëmbëllimin e Çezarit, thotë fjalinë e famshme: “Jepni Çezarit çfarë i takon Çezarit dhe Zotit çfarë i takon Zotit!”.
I gjithë angazhimi politik i Imzot Bumçit nuk ka qenë tjetër, përveçse përpjekje e sinqertë për t’i dhënë Çezarit çfarë i takon Çezarit. Sa herë që mendojmë për politikën, na krijohet ideja se në politikë hyhet për të fituar, ose, edhe më keq, për të përfituar. Fatkeqësisht, historia e shtetit tonë, që, pas pak më shumë se një viti, mbush njëqind vjeç, është e mbushur me shembuj të një politike të ushtruar e të kuptuar si pushtet dhe përfitim. Fatkeqësisht, jo vetëm forcat e Haxhi Qamilit dhe jo vetëm egërsia e diktaturës komuniste, por edhe tranzicioni i stërzgjatur njëzetvjeçar nuk na kanë dhënë një shembull bindës të politikës së kuptuar si shërbim ndaj shoqërisë. Ungjilli që sapo kemi dëgjuar na kujton se në politikë hyhet jo për të marrë, por për të dhënë: “Jepni Çezarit çfarë i takon Çezarit!”
Imzot Kaçorri, i mbrujtur me fjalën e Ungjillit, është angazhuar në politikën e Shqipërisë jo për të marrë, por për të dhënë, dhe me të vërtetë ka dhënë gjithçka, deri edhe famën e emrit të vet. Nga ana tjetër, duhet të angazhohemi ta nxjerrim në pah këtë famë, që të jetë model jo vetëm për politikanët shqiptarë, por edhe për qytetarët që kërkojnë frymëzim për vizionin e tyre politik.
Duke u kthyer tek Ungjilli i sotëm, në gjestin e Jezusit, që kërkon të shohë shëmbëllimin e Çezarit në monedhën e perandorisë, duhet të lexojmë edhe diçka më shumë. Nëse në monedhë gjendet shëmbëllimi i Çezarit, brenda njeriut gjendet shëmbëllimi i Hyjit. Libri i Zanafillës, kur tregon krijimin e njeriut, na bën me dije se Zoti tha: “Ta bëjmë njeriun në shëmbëllimin tonë”. Brenda njeriut, brenda çdo njeriu, Jezusi shikon shëmbëllimin e Hyjit, prandaj ai ka ardhur për t’i kthyer njerëzit tek Hyji.
Këtu gjejmë edhe përmasën tjetër të Zëvëndëskryeministrit të parë të Shqipërisë së pavarur. Ai, imzot Nikollë Kaçorri ishte njeri i Zotit, prandaj, sikurse ka jetuar politikën si mundësinë për t’i dhënë Çezarit çfarë i takon Çezarit, pra si shërbim dhe jo si pushtet, poashtu ka jetuar edhe besimin se thirrjen më të lartë të njeriut për t’iu kushtuar tërësisht Zotit. Madje në këtë thirrje të Zotit, për të realizuar brenda nesh ngjashmërinë me të, qëndron edhe çelësi i thirrjes sonë për t’u angazhuar në jetën sociale dhe politike.
Është pikërisht forca e kësaj thirrjeje që na nxjerr nga përtacia jonë dhe na angazhon për të mirën e të gjithëve, sikurse na porosit shën Pali në leximin e dytë të kësaj liturgjie nga Letra e Dytë drejtuar Selanikasve: “Po ju porosisim, o vëllezër, në emrin e Zotit Jezu Krisht, të largohemi nga çdo vëlla që jeton në përtaci dhe jo sipas traditës që morët prej nesh” (2Sel 3,6). E më tej përsëri: “Po dëgjojmë se disa nga ju jetojnë në përtaci, nuk bëjnë asnjë punë dhe merret me gjëra të kota. Këta i porosisim dhe i lusim në emër të Zotit Jezu Krisht që t’i shtrohen punës për të nxjerrë bukën e gojës” (2Sel 3,11-12). Gjatë tërë jetës së tij Imzot Kaçorri ka punuar pa u lodhur për të mirën e vendit të vet, prandaj sot, fjalët e Apostullit Palë duket sikur na i thotë edhe ai neve, duke na lënë një shembull të mirë të jetës së krishterë: “Ju e dini se si duhet të ndiqni shembullin tonë, sepse ne nuk jetuam në përtaci kur ishim mes jush e as nuk kemi ngrënë falas nga ndonjëri prej jush, por jemi lodhur e munduar duke punuar ditë e natë për të mos iu bërë barrë ndokujt” (2Sel 3,7-8).
Deri më sot historia e Shqipërisë nuk e ka shpërblyer Imzot Kaçorrin për kontributin e pamasë që ai i ka dhënë vendit tonë, por ky fakt nuk na shqetëson ne që jemi mbledhur këtu në emrin e besimit, sepse e dimë se shpërblimi vjen prej Zotit, prandaj lutemi që Zoti të shpërblejë me lavdinë qiellore të gjitha vuajtjet e tij. Amen.
Imzot Rrok Mirdita
Kujtojmë se Leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të Meshës së dritës kremtuar në Durrës nga imzot Mirdita janë marr nga 2Sel 3,6-15; Ps 137; Mt 22,15-22.







All the contents on this site are copyrighted ©.