2012-03-01 15:31:13

A duhet të rikthehet përsëri në trojet e të parëve?


Para se t’i japin përgjigje kësaj pyetjeje, që ka të bëjë me reliket e një Shenjti, duhet të kujtojmë se historia e varrimeve dhe e varreve të shenjtorëve më të njohur të Kishës katolike, është nga më interesantet.
Mjafton të kujtojmë Shën Osvaldin, që u kremtua dje, varrosur një herë, në kishën, ku shërbente, zhvarrosur pastaj, për t’u rivarrosur në një katedrale.
E, më kuptueshëm, reliket e Nënës Tereze, që kanë ngjallur aq shumë diskutime, sepse të kërkuara me këmbëngulje nga tre shtete: India, në radhë të parë, nga që vetë Nënë Tereza pati shprehur dëshirën të varrosej në Kalkutë. Si Shëna Ndou, portugez, në Padovë. Por Nëna e Kalkutës, me gjak shqiptare, lindi në Shkup. Prej këndej, secili nga tre vendet do të dëshironte t’i kishte Reliket e së Lumes, sepse shenjtorët dhe njerëzit e mëdhenj, që ia kushtojnë gjithë jetën njerëzimit, kanë një forcë të rrallë tërheqëse edhe pas vdekjes. Varret e tyre bëhen cak shtegtimi, meditimi, shërimi, kthesash të mëdha fizike e shpirtërore.
Shkruan Atë Fishta në poezinë e tij të njohur “Një lule vjeshtet”:“Nuk dekka i miri,
Jo kurr; …
Prej vorrit t’errshem,
Gjumin e dekës kû ai ban, na i flet mendimit,
Ambel edhè na nzitë kah punët e mbara,
E n’mende t’onë gjallon”.Prej këndej kuptohet pse Shqipëria kërkoi, kohët e fundit, që reliket e Shën Pelinit, të rikthehen në atdhe. Duke pasur parasysh faktin se Shenjti, që mendohet të ketë qenë nga Durrësi, nuk u largua nga trojet veta me dëshirë. Murgut bazilian, kundërshtar i rrebtë i herezisë monotelite, iu desh të ikte e të vendosej në Brindizi, në kohën e sundimit të Kostandinopojës mbi një pjesë të mirë të trojeve të sotme shqiptare.
Ishte vetë ipeshkvi i Brindizit, Prokoli, ai që e ndihmoi murgun e arratisur e madje edhe deshi ta zëvendësonte, pas vdekjes. Por nuk do të përfundonin këtu, përndjekjet e Shenjtit. Me urdhër të perandorit të Bizantit, ipeshkvi i ri u kap e u internua në Korfinio, ku u dënua me vdekje e u mbyt, së bashku me dishepujt e tij, më 5 dhjetor. Ka shumë mundësi të ketë qenë viti 662.
Pelinit, që u shpall shenjt dhe pajtor i dioqezës Valva-Sulmona, iu kushtuan bazilika e Korfinios si dhe një fraksion i Avecanos, në dioqezën e Marsit. Këto ditë ipeshkvi Anxhelo Spina deshi të lejonte mbartjen e disa relikeve të Shenjtit, në Shqipëri.
Por, edhe pse në kohë moderne, ndodhi ajo, që ka ndodhur gjithnjë, kur janë prekur reliket e Shenjtorëve. Besimtarët kundërshtuan me parullën ‘Shenjti është yni!”. Ipeshkvit iu desh, të paktën tani për tani, të heqë dorë nga shtegtimi i relikeve, të cilat ruhen në katedrale që nga vitit 1181, domethënë janë mbartur edhe herë tjetër. A do të ketë edhe Kisha në Shqipëri ndonjë relike të Shën Pelinit? Do të ishte mirë, por rëndësi ka që tani, kur është në qiell e u përket të gjithë besimtarëve, ta lusim të ndërmjetësojë edhe për trojet ku lindi, si për trojet ku u martirizza e ku pushon në paqe!







All the contents on this site are copyrighted ©.