2012-02-29 16:24:28

Siri: bomba mbi Homs. Imzot Tomazi: Solidaritet me viktimat e dhunës


Në Siri, trupat qeveritare vijojnë të bombardojnë për të 27-tën ditë, qytetin e Homsit, kështjellë e revoltës kundër Asadit. Dhjetra të vdekur edhe sot. Ndërkaq, bashkësia ndërkombëtare, e mbledhur në Gjenevë, në sesionin e Këshillit të OKB-së për të drejtat e njeriut, dënon ashpër shtypjen, që vijon të ushtrojë Damasku mbi njerëzit e vet. I pranishëm, edhe kryeipeshkvi Silvano Maria Tomazi, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Zyrës së OKB-së në qytetin helvetik. Duke folur në këtë sesion, prelati shprehu solidaritetin e tij për viktimat e dhunës e, sidomos, rikujtoi thirrjet e Papës për t’i dhënë fund menjëherë gjakderdhjes. E intervistuam:

Përgjigje: - Bashkësia ndërkombëtare dëshiron t’i japë një mesazh të qartë autoriteteve siriane: shkelja sistematike e të drejtave të njeriut përmes dhunës, është krejtësisht e papranueshme. Të papranueshme, përdorimi i forcës kundër demonstrimeve, vrasja e civilëve, ndërmjet të cilëve, edhe fëmijë, e pastaj, krijimi i grupeve të reja të refugjatëve, posaçërisht njerëz, që ikin nga Siria, në drejtim të Turqisë e të Libanit. Përgjithësisht, në të katër anët e Lindjes së Mesme, në kërkim të një strehe. Çështja e Sirisë është tepër delikate, e po aq, edhe e rëndësishme, sepse, ndryshe nga vendet e tjera të të ashtuquajturës “Pranvera arabe” prek të gjitha drejtpeshimet e brendshme të Lindjes së Mesme. Kujtojmë se Siria, si vend, është shumë pranë zonave të tjera, tejet delikate, që janë para problemesh politike tepër të mprehta. E kemi fjalën për Izraelin, Iranin, e edhe Turqinë e Libanin. Selia e Shenjtë e tha fjalën e vet në Gjenevë në nivel humanitar, plot shqetësim për viktimat e kësaj dhune, duke bërë thirrje t’i jepet fund menjëherë përdorimit të forcës e të hapet rruga e dialogut, e pajtimit, e kërkimit të sinqertë të paqes, sepse tepër shpesh kemi parë, në dhjetëvjeçarët e fundit, dhunë, që lind dhunë. Nuk është kurrë tepër vonë për t’i dhënë fund vringëllimit të armëve.
Shqetësimi i dytë, që u shpreh, është ai i krijimit të mundësive konkrete për hyrjen e ndihmave humanitare, mjekëve e ilaçve, të cilat duhet të arrijnë tek njerëzit, që kanë nevojë.
E së fundi, shqetësimi i tretë që shprehëm, është të mos harrohet bashkëjetesa mjaft paqësore e plot respekt ndërmjet pakicave, sunite, shiite, alavite, kristiane, kurde, që formojnë Sirinë, e të gjithë, si dje, edhe sot e nesër, të ecin së bashku për të gjetur rrugëzgjidhjet më të përshtatshme, që të mos përsëriten më tragjedi të tilla, ashtu si ndodhi pas shembjes së qeverisë irakiane, e cila u pasua nga një periudhë e gjatë mungese stabiliteti e lufte civile. Dmth, vuajtjesh të papërshkrueshme të popullsisë së pambrojtur.

Pyetje: - A mund të na thoni më konkretisht, ç’po bën bashkësia ndërkombëtare për ta ndaluar atë, që Papa e quan ‘det gjaku’?

Përgjigje – Situatën e vështirë, në të cilën ndodhet bashkësia ndërkombëtare, e vështirëson më tej pamundësia për ndërhyrje humanitare, e aq më pak, për ndërhyrje me forcë, siç ka ndodhur në vendet e tjera. Prej këndej, duhet kërkuar rruga e bindjes dhe e pajtimit, duke i nxitur të gjithë të kuptojnë pasojat, që do të kenë në të ardhmen, sepse bashkësia ndërkombëtare nuk do të rrijë të bëjë sehir, por do të ndjekë të gjitha rrugët juridike e ligjore, për ata, që po shkaktojnë tërë këtë vuajtje.








All the contents on this site are copyrighted ©.