2012-02-29 18:11:27

Më 29 shkurt kalendari kujton shën Osvaldin e Uorçesterit, ipeshkëv.


Bir i prindërve danezë, u bë murg benediktin në Fleuri të Francës, për t’u rikthyer prift në Angli: në fillim kanonik, pastaj murg e, në fund, në krye të Kishës së Jorkut e të Uorçesterit, ku e shndërroi kapitullin, në bashkësi murgare. Themeloi edhe dy manastire në Vestburi-on-Trajm pranë Bristolit dhe në Ramsei.
Kur u emërua kryeipeshkëv i Jorkut, iu dha leja të kryesonte dhe dioqezën e Uorçesterit. Në sulmin kundër manastireve, që shpërtheu pas vdekjes së Shën Eduardit martir, bashkësitë murgare u shpërndanë përkohësisht. Po Shenjti nuk e humbi guximin murgar. Me mirësjelljen, që e dallonte, me bujarinë e karakterin gazmor, vijoi të nderohej e të mbrohej nga vetë populli, të cilin e mësoi dhe e drejtoi.
Vdiq në Uorçester, më 28 shkurt të vitit 992, pasi u kishte larë këmbët dymbëdhjetë të varfërve e ishte ulur në sofër, në shoqëri të tyre. Trupi i tij u rivarros në një varr të ri nga Shën Vulfstani, edhe ai ipeshkëv i Uorçesterit, prej vitit 1062 deri më 1095.
Në Martiriologun Romak paraqitet si “Mësues i ëmbël, gazmor, i pajisur me kulturë të thellë e të gjithanshme, që organizoi shumë manastire sipas rregullës së Shën Benediktit.
Emri i Ipeshkvit Shenjt, Osvald, vjen nga saksonistja e do të thotë ‘Mbrojtës i shtëpisë”.
Kremtohet më 28 shkurt, ndërsa në vitet e brishta, si ky i sivjetmi, më 29. Kujtojmë se kur shkurti ka 29 ditë, viti quhet i brishtë, ose perishtup.







All the contents on this site are copyrighted ©.