2012-02-28 11:25:47

Në Turqi, zbulohet një Ungjill apokrife e lashtë, thuhet se është shkruar 1500 vjet më parë.


Ditëve të fundit në shumë agjenci lajmesh e media ndërkombëtare, duke filluar nga ato turke, është folur për gjetjen nga policia turke të një kopje të Ungjillit apokrife të Barnabës, zanafilla e së cilës mendohet se është 1500 vjet më parë. Lajmin për gjetjen e një kopje të Biblës apokrife të Barbanës e konfirmoi edhe ministri i kulturës së Turqisë. E për këtë zbulim kanë shkruar edhe mediat shqiptare si Gazeta Shqiptare, ku lexojmë një titull interesant: “Bibla (Ungjilli) e lashtë, mbi 1500-vjeçare, ndodhet në Turqi”. Shkrimi, datuar 25. 02. 2012, njofton: “Autoritetet turke kanë bërë me dije se një Bibël antike, e cila mendohet të jetë më shumë se 1500 vjeçare po mbahet e sigurt nga autoritetet vendase, pasi u kap nga disa kontrabandistë. Dokumenti është në gjuhën aramaike, gjuha e Jezu Krishtit, shkruar me germa ari në faqet prej lëkure të librit të shenjtë. Autoritetet policore prej më shumë se 12 vitesh ishin vënë në kërkim të Biblës nga trafikantët, të cilët vjedhin objekte të lashta turke. Pasi çështja kaloi në Gjykatën e Lartë në vend mendohet se tashmë Bibla antike ndodhet në një muze. Faqet e Ungjillit (Biblës) kanë ruajtur gjurmë mjaft origjinale të historisë turke, ndërsa ministri turk i Kulturës bëri me dije se tashme ai do t'i nënshtrohet punës restauruese, ndërsa vlera e ktij Ungjilli (Bible) mund të arrijë deri në 20 milionë euro”.
Lajmi i Gazetës Shqiptare, me sa duket i marrë nga agjencia Ansa, është përkthyer shkurtimisht e me terminologji të mjegullt. Në faqet e agjencisë Ansa, ndërmjet tjerash, lexojmë: “Ka shumë mundësi që Bibla (Ungjilli)e lashtë, e gjetur kohët e fundit, të përmbajë Ungjillin apokrif të Barnabës, në të cilin Jezusit i atribuohet profecia e ardhjes së Muhametit mbi tokë. Është fjala për një Bibël, shkruar 1500 vjet më parë, gjetur nga policia turke, besuar Muzeut etnografik të Ankarasë. Mendohet të jetë shkruar në gjuhën aramaike, me alfabetin siriak, mbi fletë pergamene.
Gjuha aramaike – kujton kanali i gazetës turke Hurriyet, është gjuha që mendohet të jetë folur nga Jezusi. Të vetmit njerëz, që vijojnë ta flasin edhe sot e kësaj dite, jetojnë në një fshat pranë Damaskut. Ministri turk i Kulturës dhe i Turizmit, Ertugrul Gunay, duke folur me gazetarët, theksoi se Bibla e shkruar 1500 vjet më parë, ‘ka mundësi të jetë në gjuhën aramaike”, gjuhë e ngjashme ma atë që fliste Jezusi. Shumë e dëmtuar, do të restaurohet e do të ekspozohet vetëm pas kësaj ndërhyrjeje”.

Na duket e arsyeshme të sqarojmë se dorëshkrimet (sepse bëhet fjalë për dorëshkrime, jo për shtypshkrime) më të lashta të Shkrimit Shenjt, Biblës janë: “Codex Sinaiticus; Codex Alexandrinus; Codex Vaticanus, Codex Marchalianus: teksti mazoretik dhe Septuaginta”.
Përkthimet dhe variantet e Biblës, mund të ndahen në dy kategori: të lashta, me rëndësi të veçantë për kritikën tekstuale, dhe moderne, të cilat shpesh kanë pasur e vijojnë të kenë ndikim të fuqishëm mbi letërsitë e gjuhët, në të cilat u përkthyen.
Variantet kryesore të lashta të Biblës janë: Bibla Aramaike-siriake; Greke, Latine e në gjuhë të tjera;
Variante moderne; në gjuhën azere, italiane, franceze, spanjolle, gjermane, angleze shqipe si dhe në një numër të madh gjuhësh të mbarë botës.
Nga variantet më të lashta, kujtojmë Pentateukun samaritan (Torah e Jozue), shkruar në gjuhën hebraike, që i përket shekullit IV para Krishtit; Biblën aramaike-siriake (Targum; Vetus Syra; Peshita); Siro-Palestineze, Filoseniane, Harklense.
Vijnë, pastaj, variantet greke, më i lashti i të cilëve, është ai i të Shtatëdhjetëve ose Septuaginta. Është varianti grek, i shkruar në Aleksandri të Egjiptit, i përdorur nga hebrenjtë e gjuhës greke.
Në latinisht, varianti më i lashtë është Vetus latina, përkthim i variantit të të Shtatëdhjetëve, me përkthyes të panjohur. Hamendësohet se u përkthye nga shumë duar e në kohë të ndryshme.
Vjen pastaj Vulgata, përkthyer nga Sofronio Eusebio Girolamo, apo Shën Jeronimi, nga hebraishtja në latinisht, duke u nisur drejtpërdrejt prej teksteve hebraike.
Duke folur për Biblat e lashta, nuk mund të mos kujtojmë Koleksionin e kodikëve (the codex), që përbën një prej pasurive më të rëndësishme kulturore të popullit shqiptar në të gjitha kohërat dhe një pasuri me vlera botërore. Kodikët e këtij koleksioni, fond me rëndësi botërore për historinë e zhvillimit të letërsisë së vjetër biblike, liturgjike dhe hagjiografike, kronologjikisht ndjekin njëri-tjetrin gjatë 13 shekujve me radhë (prej shekullit të 6-të - deri në shekullin e 18-të).
Koleksioni, i cili ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit të Shqipërisë, përbëhet nga mbi 100 vëllime, vepra të plota (dorëshkrime) dhe 17 fragmente, të cilat, të gjithë së bashku, njihen si "fondi 888". Jashtë këtij fondi numërohen edhe disa dhjetëra kodikë të tjerë, që i takojnë kishës së Shën Gjon Vladimirit (Durrës). Përveçse në AQSH, kodikë ka pasur edhe në muzeun e artit mesjetar në Korçë.
Për herë të parë ekzistenca e kodikëve të Shqipërisë është bërë e ditur botërisht nga një botim në gjuhën greke i peshkopit të Beratit (Aleksudes, A. - 1868).
Kaq, tepër shkurtimisht, sa për sqarim, duke kujtuar se për këtë argument janë shkruar e vijojnë të shkruhen libra të trashë, me pretendime të mëdha shkencore, sepse Bibla është konsideruar gjithnjë si monumenti më i madh që ka njerëzimi, Libër i Librave.







All the contents on this site are copyrighted ©.