2012-02-27 16:25:16

Sinodi: ungjillëzimi i sotëm shpesh është ‘pa fryt’; mirë se ardhtë Viti i fesë!


“Ungjillëzimi i ri për transmetimin e fesë së krishterë”, është titulli i Sinodit të Ipeshkvijve, që do të mbahet në Vatikan nga 7 deri më 28 tetorin e ardhshëm. Boca e Instrumentum laboris, apo e planit të punës së Sinodit, u diskutua këto ditë, gjatë takimit të 12-të të Këshillit të zakonshëm të Sekretarisë së përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve.

Si mund të përcillet Ungjilli nga breznia në brezni, kur shumë njerëz sot e shikojnë këtë transmetim me indiferencë? Duhet menduar se kriza aktuale e fesë është edhe krizë e transmetimit të vetë fesë? Ishte ky problemi kryesor, për zgjidhjen e të cilit diskutuan kardinajtë e prelatët, që morën pjesë në takimin e Sekretarisë së përgjithshme të Sinodit, në Vatikan, kryesuar nga drejtuesi i saj, kryeipeshkvi Nikola Eterović. Mbledhja sinodale, njofton një notë zyrtare, i kushtoi vëmendje të dorës së parë atyre pjesëve të bocës së Instrumentum laboris, që kanë të bëjnë me identitetin e njerëzve, të cilëve u drejtohet ungjillëzimi i ri, si dhe me identitetin e të krishterit në lidhje me Ungjillin e me Krishtin.
Duke analizuar problemet që kanë lindur gjatë përçimit të fesë, pjesëmarrësit në takim pranuan se ungjillëzimi i sotëm, shpesh herë, është i pafrytshëm, edhe sepse zhvillohet në praninë e ndikimeve të kulturës bashkëkohore, që e vështirësojnë shumë transmetimin e fesë e, njëkohësisht, përbëjnë një sfidë të vërtetë për të krishterët e për vetë Kishën. Kjo sfidë ka të bëjë kryesisht, me familjen, shkollë e parë e transmetimit të fesë, si për përmbajtjen, ashtu edhe për praktikën e saj. E pastaj, me katekizmim që zhvillojnë institucionet kishtare, posaçërisht përmes liturgjisë, me sakramentet e homelinë, misioneve famullitare, përshpirtërisë popullore, lëvizjeve e bashkësive kishtare. Në përfundim, nota e shikon plot besim Vitin e fesë. “Do të jetë – shkruajnë anëtarët e Sekretarisë së Sinodit, një rast i përshtatshëm që ta thellojmë dhuratën e fesë, të cilën e kemi marrë nga vetë Zoti, për ta jetuar e për t’ua përçuar edhe të tjerëve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.