Sanksione të reja UE kundër Damaskut. Imzot Fitzgerald: dialog e ndihma humanitare
Pas referendumit mbi reformat kushtetuese në Siri, bojkotuar nga lëvizjet antiqeveritare,
ministrat e jashtëm të BE-së miratuan një paketë të re masash ndëshkimore kundër qeverisë
siriane. Ndërkaq dhuna vijon. Shumë të vdekur, edhe sot, posaçërisht në Homs. Vetëm
pak ditë më parë, bashkësia ndërkombëtare i dënoi dhunën e regjimin, nga tribuna e
Konferencës së Vendeve mike të Sirisë, mbajtur në Tuniz. Punimet i ndoqi edhe vëzhguesi
i Selisë së Shenjtë pranë Lidhjes Arabe, imzot Michael Fitzgerald, nunc apostolik
në Kairo. Prelati, në mikrofonin tonë, flet për rëndësinë e konferencës:
Përgjigje:
- Konferenca e Tunizit dëshmoi shqetësimin e mbarë botës për situatën në
Siri. Gjëja që ra më shumë në sy, qe se qeveria siriane nuk ishte e pranishme: të
pranishëm, anëtarët e Këshillit kombëtar sirian, dmth opozita, por jo qeveria. Ishte
takim i miqve të popullit sirian, jo i qeverisë aktuale të Sirisë. Në përfundim u
kërkua, si gjëja më e rëndësishme, sigurimi i ndihmave humanitare, sepse ka shumë
viktima; u kërkua edhe garancia nga ana e shtetit dhe e qeverisë siriane, për të lejuar
hyrjen e mjekëve, të ilaçeve e të ushqimeve të domosdoshme për jetesën, që mungojnë
në shumë zona.
Pyetje: - Kjo krizë është krejt e ndryshme, nga ato
që kemi parë në Mesdhe. Bashkësia ndërkombëtare, me sa duket, nuk e ka ende të qartë
si duhet përballuar ky çast tejet i vështirë e, sidomos, si duhet ndihmuar populli
sirian… Përgjigje: - Nuk ishin të pranishëm në takimin e Tunizit,
as Rusia e as Kina, të cilat përdorën edhe veton në Këshillin e Sigurimit, por në
Asamblenë e Përgjithshme shumica dërmuese e dënoi qeverinë siriane, dënoi përdorimin
e dhunës kundër opozitës. Pra, mund të themi se shumë vende mbajtën qëndrim vërtet
solidar, duke kërkuar një rrugëdalje sa më demokratike e paqësore të konfliktit në
vijim. Bëhen përpjekje për ta shmangur konfliktin, luftën civile. Prej këndej u vendos
të dërgohet Kofi Anan, si delegat i posaçëm, për të vëzhguar si po zhvillohen negociatat.
Pra, mund të themi se nuk mungon dëshira për bisedime: Këshilli sirian thotë se është
gati të dialogojë me elemete të qeverisë aktuale. Urojmë të gjinden këto elemente!