2012-02-27 18:19:51

Nigeria Veriore: atentati në kishë, kryeipeshkvi i Josh kërkon ndalimin e raprezaljeve.


Kallet flakë ndeshja ndërmjet myslimanëve dhe të krishterëve, në Veri të Nigerisë. Me shqetësim të thellë, imzot Ignatius Ayau Kaigama, deklaron: “Ishim tepër optimistë! e “pas një periudhe tejet të shkurtër qetësie, bombat rifilluan ta prishin tragjikisht qetësinë në Josh”.
E fundmja shpërtheu dje, në një kishë protestante: një sulm vrasës me auto bomba. Të vdekur, 3 nga besimtarët dhe njëri nga dy atentatorët, ndërsa i dyti, që u flak në ajër prej autos, u sulmua menjëherë nga disa të rinjt të krishterë, të cilët, të zemëruar për vdekje nga ngjarja, e mbytën aty për aty, njëherësh me tre taksistë. E më pas, dogjën edhe disa dyqane, të dyshuara si strehë fanatikësh islamikë, pak më larg vendit, ku u krye atentati kundër të krishterëve, me autorë, anëtarë të sektit Boko Haram. Është një filial i Al Kaedës për Magrebin islamik (Aqmi), i cili ka nënshkruar një sërë sulmesh, posaçërisht në veri të vendit afrikan, që ndahet në dy zona: Veriu i varfër, me shumicë myslimane e Jugu, më i pasur, me shumicë kristiane. Kohë të vështira këto, edhe për presidentin e krishterë Goodluck Jonathan. E vërteton fakti se masat e sigurisë, ndërmarrë pas atentateve të kryera nga islamikët, nuk dhanë kurrfarë rezultati. Gjakderdhja vijon, e Kisha nigeriane ka frikë se do krijohet një atmosferë e rrezikshme tmerri, tensioni, zemërimi, pas së cilës natyrshëm, lind dëshira për hakmarrje. E kjo dëshirë mund t’i shtyjë të krishterët ta zbatojnë vetë drejtësinë, që nuk është në gjendje t’ua sigurojë qeveria, gjë që do të krijonte kundërvënie shekullore, gjaqe pas gjaqesh. Në sa vijon vala e arrestimeve të islamikëve, por edhe e të krishterëve, ipeshvki u bën thirrje besimtarëve të vet: “Mos provokoni askënd e mos i jepni përgjigje provokimeve, duke kryer raprezalje. Ky është mësimi i Kishës. Kisha është kundër hakmarrjes, për zbatimin e ligjit. Është detyrë e ligjit t’i bllokojë e t’i dënojë njerëzit që kryejnë krime”. Ndërkaq nga Strasburgu ngrihen zëra, që i kujtojnë bashkësisë ndërkombëtare se duhet të ndërhyjë për t’i dhënë fund masakrimit të të krishterëve në Nigeri.







All the contents on this site are copyrighted ©.