2012-02-26 17:34:07

Sulm i ri në Nigeri kundër kishës protestante të Josh: tre të vdekur e rreth 40 të plagosur.


Atentat i ri, sot paradite, në zonën e Josh, në shtetin Plato të Nigerisë. Një grup burrash të armatosur hyri me forcë në selinë e ‘Kishës së Krishtit në Nigeri’, duke vrarë 3 besimtarë e duke plagosur rreth 38 të tjerë. Në zonë mbetet i hapur konflikti ndërmjet popullsisë vendase të etnisë berom dhe asaj hausa, ardhur nga veriu. Edhe kësaj here duket qartë se sulmi është vepër e sektit ekstremist Boko Haram. E konfirmon Petrik Tor Alumuku, drejtor i departamentit të komunikimit, pranë kryedioqezës së Abuzhës, me telefon, nga Nigeria:
Përgjigje: - Në këtë çast mendohet se përgjegjës për krimin e ri, duhet të jetë përsëri Boko Haram. Nga njoftimet që pata pak kohë më parë, mora vesh se terroristët, para se të hynin në kishë, sulmuan personelin e sigurisë.

Pyetje: - Me sa duket jemi para së njëjtës taktikë, me të cilën jemi njohur edhe në sulmet e tjera: sulmohet me fëtyrë të mbuluar dhe qëllohet pa mëshirë mbi turmën e njerëzve, që luten…

Përgjigje: - Pikërisht, janë ata. Thuhet se ky grup terrorist është i lidhur me Al Kaedën e se sulmon kudo në mënyrë shkatrrimtare. Si në këtë rast, mbi Kishën e Krishtit në Nigeri, Kishë pentekostale e tipit luteran.
Pyetje: - Si reagon qeveria, përballë kësaj serie sulmesh gjakatare? E Kisha, si i ndjek këto atentate?

Përgjigje: - Qeveria po bën ç’është e mundur t’i japë fund një situate të tillë, duke punuar kryesisht për një siguri më të madhe në vend. Edhe Kisha po mundohet t’i mbrojë të gjitha ndërtesat e kultit, në hyrje, në dalje dhe në rrugët kufitare. Prandaj nuk është aq e lehtë të hysh në kishë, posaçërisht të dielave. Por kur sulmojnë njerëz të armatosur, nuk e kanë shumë vështirë të bëjnë, atë që bënë sot.







All the contents on this site are copyrighted ©.